Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin Çizmeli të Shijakut, ku gjatë natës janë djegur mbetje, duke krijuar re të mëdha tymi që kanë shqetësuar banorët dhe ngritur shqetësime për shëndetin publik.
Banorët kanë akuzuar punonjësit e grumbullimit të plehrave në Bashkinë Shijak, duke thënë se ata kanë qenë përgjegjës për djegien e qëllimshme të mbetjeve.
Në reagimin e tij zyrtar, Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, e mohoi kategorikisht përfshirjen e bashkisë në këtë ngjarje. Ai deklaroi se zjarrvënia është një akt i qëllimshëm nga persona dashakeqë, pa lidhje me strukturat bashkiake.
“Në fshatin Çizmeli disa dashakeqës i kanë vënë flakën zonës përreth,” shkroi Arbana në rrjetet sociale. “Falënderoj zjarrfikësit dhe vullnetarët që punuan gjatë gjithë natës. Policia duhet të identifikojë autorët. Këta nuk meritojnë të jenë shijakas, as të merren me politikë.”