Lorenc Lala, 47-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në kuadër të gjakmarrjes, është arrestuar nga autoritetet britanike në Londër, pas një operacioni të përbashkët mes Interpol Tiranës dhe Policisë Metropolitane.
I njohur edhe me emrin Kristian Lala, ai ishte arratisur në Britani që prej vitit 2021, menjëherë pas vrasjes së Albi Bashaliut në fshatin Gjocaj të Peqinit. Sipas autoriteteve shqiptare, Lala akuzohet se ka organizuar dhe financuar këtë atentat, duke paguar 50 mijë euro për ekzekutimin dhe ndihmuar autorin të largohet nga vendngjarja.
Pavarësisht faktit që Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e sistemit të urdhër-arresteve europiane, arrestimi i Lalës u bë i mundur falë shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve shqiptare dhe britanike, si dhe një marrëveshjeje të veçantë ekstradimi mes dy vendeve.
Ai u kap nga njësia speciale e ekstradimeve në Londër dhe u paraqit para Gjykatës së Magjistraturës në Westminster, ku ndaj tij rëndon akuza e "komplot për vrasje". Lala ndodhet aktualisht në paraburgim dhe seanca e radhës gjyqësore për vendimin e ekstradimit pritet të zhvillohet në korrik.
Sipas Prokurorisë së Elbasanit, arrestimi i Lalës u bë i mundur falë bashkëpunimit me një anëtar të grupit kriminal që vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare. Ndërkohë, Ministria e Brendshme britanike e ka cilësuar këtë operacion si një dëshmi të angazhimit të Mbretërisë së Bashkuar për të mos u kthyer në strehë për kriminelë ndërkombëtarë.