Festimet për finalen e shumëpritur të Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Inter, që do të luhet sonte në Allianz Arena në Mynih, janë prishur nga incidente të dhunshme dhe përplasje mes tifozëve nëpër rrugët e qytetit.
Policia gjermane ka ngritur nivelin e sigurisë në maksimum, pasi situata është përshkallëzuar në disa zona të Mynihut, vetëm disa orë para nisjes së ndeshjes.
Një prej incidenteve më serioze ndodhi në linjën U6 të metrosë, në stacionin “Universität”, ku u përdor gaz lotsjellës brenda një treni. Ky akt shkaktoi panik dhe ndërprerje të shërbimit, ndërsa stafi i metrosë nuk arriti të ndërhyjë për shkak të tensionit të lartë.
Afër stadiumit, në stacionin Fröttmaning, disa tifozë të Interit u lënduan gjatë përplasjeve fizike me mbështetës të PSG-së. Fatmirësisht, një gardh sigurie mes shinave ndaloi përshkallëzimin më të madh të dhunës.
Përplasjet vijuan edhe në stacionin qendror të trenit të Mynihut, ku tifozët e Interit hodhën gurë drejt mbështetësve të PSG-së, duke shkaktuar përleshje fizike që u ndaluan me ndërhyrjen e policisë.