Në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik veror dhe pritjes së rritjes së ndjeshme të numrit të vizitorëve, qeveria shqiptare ka prezantuar projektin për rikualifikimin e peizazhit në pikat hyrëse doganore të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga pikat kufitare të Hanit të Hotit dhe Murriqanit, të cilat tashmë janë transformuar me një infrastrukturë më moderne, mikpritëse dhe me kushte dinjitoze. Qëllimi i këtij projekti është të ofrojë një përvojë të parë pozitive për turistët e huaj që hyjnë në Shqipëri, duke krijuar një imazh të unifikuar dhe funksional në hyrjet tokësore të vendit.
“Pikat doganore të Hanit të Hotit dhe Murriqanit përfaqësojnë tashmë kushte dinjitoze mikpritjeje,” tha Rama në një postim në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e uniformizimit dhe përmirësimit të shërbimeve në këto pika gjatë sezonit të ngarkuar veror.
Ky projekt, i ideuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ka nisur fillimisht në pikat kufitare me fluks më të madh turistik dhe do të shtrihet më pas në të gjithë territorin.
Rikualifikimi synon jo vetëm përmirësimin e estetikës dhe kushteve fizike, por edhe lehtësimin e përpunimit të pasagjerëve dhe mjeteve, duke dhënë një sinjal të qartë për orientimin e Shqipërisë drejt standardeve të përparuara të mikpritjes dhe shërbimit.