Aktualitet

Elisa Spiropali viziton Shërbimin e Pediatrisë në Tiranë për 1 Qershorin

Shkruar nga Liberale.al

Elisa Spiropali viziton Shërbimin e Pediatrisë në Tiranë

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë të veçantë në Shërbimin e Pediatrisë pranë QSUT në Tiranë. Ky shërbim ka përfunduar rikonstruksionin në muajin shkurt të vitit 2025 dhe tashmë ofron kushte dinjitoze për trajtimin e fëmijëve.

Gjatë vizitës, Spiropali mori pjesë në një aktivitet festiv të organizuar për fëmijët, ku u shpërndanë edhe dhurata me rastin e festës së tyre. Ajo vizitoi disa nga dhomat ku janë të shtruar fëmijët që marrin trajtim dhe zhvilloi takime me mjekët dhe personelin që kujdeset çdo ditë për ta.

Në fjalën e saj, Spiropali theksoi rëndësinë që ka shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve, duke shtuar se institucionet duhet të jenë gjithmonë në krah të tyre dhe të familjeve që përballen me sfida shëndetësore.

Drejtoresha e Përgjithshme e QSUT, Donjeta Bali, vlerësoi forcën dhe pozitivitetin që japin fëmijët edhe kur ndodhen në spital. Ajo u shpreh se për herë të parë janë krijuar ambiente të posaçme për mësim digjital për fëmijët që qëndrojnë gjatë në spital.

Shërbimi i Pediatrisë së Specialiteteve ka një kapacitet prej 140 shtretërish dhe 17 poltronësh për terapi ditore, duke ofruar trajtim për një numër të madh pacientësh të vegjël.

Një nga pjesët më interesante të këtij shërbimi është Muzeu i Pediatrisë, ku janë ekspozuar foto të mjekëve pediatër ndër vite dhe historiku i këtij shërbimi. Një vend i veçantë në muze zë edhe "Pema e të Mbijetuarve", ku janë vendosur foto të fëmijëve që kanë fituar betejën me sëmundje të rënda.

Liberale Newsroom

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH