Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar pronat e 28 vjeçarit, Leonard Coga i cili rezulton të jetë i dënuar me 3 vite burg në Angli për “shtëpi bari”. Sipas provave të prokurorisë, pasuritë e tij janë përfituar nga veprimtari kriminale. Të riut i janë sekuestruar 2 garazhe dhe një apartament që llogaritet të kapin vlerën prej 200 mijë eurosh.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në kuadër të procedimit penal nr.713, viti 2023 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit L.C, ka kërkuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi pasuritë e paluajtshme:
1. Pasuria me nr.26/198-G.5, e llojit “Garazh”, zk.8525, Elbasan;
2. Pasuria me nr.26/198-G.6, e llojit “Garazh”, zk.8525, Elbasan; dhe
3. Pasuria me nr.26/198+1-26, e llojit “apartament”, zk.8525, Elbasan
Nga hetimet ka rezultuar se:
Personi nën hetim ka kryer aktivitet kriminal, (shtëpi bari) në Mbreterinë e Bashkuar, për të cilën është arrestuar dhe dënuar nga autoritetet angleze.
Personi nën hetim dhe personat e afërt me të, gjatë dhe pas kohës së kryerjes së veprimtarisë, kanë investuar në fitimin e disa pasurive të paluajtshme të cilat dyshohen se kanë si burim të ardhurat nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasit L.C.
Pasuritë e konstatuara janë dukshëm të pajustikuara nga të ardhurat e ligjshme të personave të lidhur të personit nën hetim L.C.