Policia e Pogradecit ka arrestuar një grua 64-vjeçare, e identifikuar si Sheqere Hamati, e dyshuar për shitje lëndësh narkotike në doza.
Gjatë kontrollit në banesën e saj, efektivët gjetën një sasi të konsiderueshme lënde narkotike Kannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe një shumë parash në lekë.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim djali i saj, Xhenson Hamati, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjen e personave të tjerë të involvuar.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Buçimasi”. Në kuadër të operacionit:
-u arrestua në flagrancë shtetasja Sh. H., 64 vjeçe, banues në fshatin Buçimas;
-u shpall në kërkim djali i saj, shtetasi Xh. H., 30 vjeç, banues në fshatin Buçimas;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. T., 21 vjeç, banues në Pogradec.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasve Sh. H. dhe Xh. H., shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që e posedonin me qëllim shitjen në doza, 2 peshore elektronike dhe një shumë lekësh.
Shtetasit L. T., gjatë kotrollit fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike që dyshohet se ia kishte blerë 64-vjeçares.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.