Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në fuqi masën “pezullim nga detyra” për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) në Durrës, Hazbi Lika, i cili është nën hetim për shpërdorim detyre.
Vendimi u mor më 28 qershor nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, i cili e cilësoi masën si të ligjshme dhe të nevojshme për mbarëvajtjen e hetimeve. Sipas gjykatës, pezullimi i Likës do të shmangë ndikimin e tij në procesin hetimor dhe te vartësit në institucionin që ai drejtonte.
Prokuroria dyshon se Lika ka kryer shkelje gjatë ushtrimit të funksionit të tij si drejtues i DRAP Durrës, institucion që mbulon edhe bashkitë Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos.
Pezullimi do të mbetet në fuqi deri në përfundim të procesit gjyqësor ose nëse ndryshojnë rrethanat ligjore. Hetimet ndaj tij vijojnë.