Klementin Mile
Fjalën e fundit për sulmin mbi Top Channel do ta thonë organet hetuese. Deri atëherë na mbetet të arsyetojmë. Megjithatë, arsyeja duhet përdorur mirë, që të mos na shpjerë në gabime logjike. Kështu, po dëgjojmë zëra publikë që thonë se ky qe një sulm barbar ndaj fjalës së lirë.
Patjetër që sulmi, për nga mënyra e ekzekutimit të tij, armëve të përdorura dhe viktimës që la, nuk kishte lidhje me civilizimin dhe prandaj mund të cilësohet barbar. Nga ana tjetër, arsyeja e ka të vështirë të pranojë objektivin e pretenduar të atij sulmi. Kjo sepse ka një dallim të hollë, por mjaft radikal, midis sulmit ndaj fjalës së lirë dhe sulmit ndaj fjalës së orkestruar. Në rastin e parë sulmohen gazetarët, në të dytin pronarët.
Jo vetëm në rastin e Top Channel sot, por edhe kur janë sulmuar media të tjera në Shqipëri, me armë ushtarake ose civile, vështirë që sulmi të ketë qenë ndaj fjalës së lirë. Kjo sepse në regjimin e vendosur në vendin tonë pas rënies së komunizmit është bërë irracionale të sulmosh fjalën e lirë. Vlera dhe pesha e saj kanë rënë aq shumë, saqë nuk ia vlen të marrësh kallashnikovët dhe të qëllosh më breshëri për ta ekzekutuar.
Atëherë, le të themi disa fjalë të ndershme dhe logjike për fjalën e lirë. Gjatë regjimit komunist fjala ka qenë e kufizuar rreptësisht; në shumicën e rasteve ajo qe e dënuar të mbetej në ndërgjegje, si mendim, dhe të mos lindte kurrë si fjalë e përdorur në komunikim me të tjerët. Çensura, autoçensura, neni 55 për agjitacion dhe propagandë, sanksionet ligjore dhe mosbesimi te të tjerët (të cilët mund të ishin spiunë të regjimit) bënin të mundur vdekjen e fjalës në ndërgjegjen e individit, ashtu si një foshnjë që lind e pajetë.
Por, nga ana tjetër, fjala në mungesë lirie kishte peshë të jashtëzakonshme. Ajo, pas një lindje të vështirë, vinte në botë për të thyer heshtjen e madhe, për të ngjizur reagim dhe kritikë, për të propozuar alternativa. Asgjë nuk mund ta rrezikojë më shumë një regjim monist se sa propozimi i alternativave – kjo është baraz me kërkesën për rrëzimin e vetë regjimit. Po të përdorim konceptet ekonomike të inflacionit dhe deflacionit, fjala në komunizëm ishte deflacionare, por pikërisht për këtë kishte vlerë të madhe. Fjala ishte eksplozive, ngjizej në ndërgjegjen e dikujt, por efekti i saj përhapej në shumë ndërgjegje të tjera, aq sa me të drejtë regjimi komunist frikësohej prej saj.
Sot, në demokracinë shqiptare, fjala e lirë është e garantuar me ligj dhe kushtetutë. Individi shqiptar nuk ka pse e burgos më fjalën në ndërgjegjen e tij. Fjala lind lirisht kudo dhe kurdo. Për të gjithë presidentët, kryeministrat, ministrat dhe deputetët që kemi patur në demokraci janë thënë të gjitha llojet e fjalëve, pa asnjë çensurë apo autoçensurë. Është thënë sa ka vjedhur njëri, sa ka mashtruar tjetri, sa i korruptuar është ky, sa i lidhur me krimin ai, e kështu me radhë. Nuk kanë folur vetëm zyrtarët kundër njëri-tjetrit, por edhe qytetarët që nuk mbajnë poste zyrtare, edhe gazetarët që informojnë qytetarët.
Zakonisht kjo celebrohet si fitore e fjalës së lirë, të cilën vetëm demokracia e mundëson. Por, në Shqipëri, kjo është fitore si e Pirros. Sot fjala, kur lind, nuk vjen në një botë ku mbizotëron heshtja; përkundrazi, vjen në një botë të zhurmshme, ku fjalët thuhen pa problem e pa fund. Sot fjala që lind nuk thotë asgjë të re, asgjë që nuk është thënë më parë. Sot fjala është e klonuar nga fjalët e tjera. Ajo nuk ka peshë, por vetëm një lehtësi të papërballueshme.
Fjala në liri është inflacionare dhe implozive. Inflacionare sepse e gjen veten në shoqërinë e një numri shumë të madh fjalësh të tjera, të thëna nga shumëkush, për shumëçka dhe shumëkënd; dhe implozive sepse ngjizet në ndërgjegjen e individit dhe, pavarësisht lirisë për t’u komunikuar, nuk arrin të komunikohet. Zakonisht, ajo mbetet brenda ndërgjegjes individuale dhe nuk jep asnjë efekt publik të jashtëm, por jep shumë efekte psikologjike të brendshme, si dëshpërimi, stresi, alienimi etj. Në kushtet e inflacionit fjala vlen shumë pak. Ajo nuk mund të rrëzojë regjime dhe prandaj regjimi nuk i trembet fare. Regjimi, thjesht, prodhon fjalët e veta, tregon versionin e vet të ngjarjes. Heshtja komuniste është zëvendësuar nga kakofonia demokratike./Liberale.al