Letërsi

Dyrdyli dhe vepra e pagjetshme

Shkruar nga Liberale
Dyrdyli dhe vepra e pagjetshme

Nga Enton Bido

Mësonjës Dyrdyli u jep një detyrë nxënësve të shkollës së kryeprovincës së madhe të atij qytet-shtetit që nuk e dimë nga bie: “Gjeni veprën e ndaluar të shkrimtarit të dënuar T.M. dhe analizojeni!”

Nxënësit, që Dyrdylin e thërrasin “profesor”, megjithëse ka mbaruar natën me 5-a, turren për në librari:

  • A e keni dramën e T.M. “Mburoja me njolla”? – pyesin ata.

Libraret kërkojnë, por vepra, si e hequr nga qarkullimi, nuk ka as nam, as nishan.

  • Duhet të jetë hequr nga raftet, se ashtu ishte një punë. Nuk kemi më shumë informacion – u përgjigjen ato.

Pastaj, aty qëllon një studiues nga ata me çantë të shqyer dhe pyet nxënësit:

  • Po a ka gjetur ndokush nga ju të dhëna, pasi edhe një libër i shkruar për T.M. është bazuar në dorëshkrimin, ose kopjen e vetme që ka pasur familja.
  • E ka gjetur vetëm njëri prej nxënësve. Ia ka marrë hua familjes.
  • Po mësuesi vetë?
  • Profesori na tha që do t’ia marrë të afërmve, por ende nuk ia ka marrë.(!!!)
  • Aha, e qartë! Domethënë, ky farë “presori” qenka si trajner noti që nuk di not vetë. Interesante!

( Të vjen ndër mend ai tregimi i Ksamil Isaresë për veprën e humbur të një rilindasi, - nga ata të njëhershmit, origjinalët, jo nga të sotmit , postmodernët - “Këngë dhe vome nga lufta e madhe”. Mos t’i hyjmë mandej humbjeve eskiliane, se trashet shumë muhabeti, që edhe kështu është bërë i trashë e veshtullor si tutkall.)

Tani, pasi mbaroi rrëfimi i ndodhisë, dalim në variantet e zgjidhjes së enigmës, ose me saktë variantet e pamundshme të gjetjes së veprës së humbur, ose mundësisht të fshehur:

Variant 0 : Ndryshimi, zëvendësimi i veprës që do të merret në shqyrtim. (I vura numrin zero, pasi përjashtohet si variant, ngaqë “profesori” është i pagabueshëm.)

Variant 1: Të hyhet me maska te shtëpia e familjarëve të autorit të ndjerë dhe të grabitet kopja/ kopjet e vetme, ose dorëshkrimi. Ky i fundit është më i vështirë për t’u gjetur, pasi duhet gërmuar në sirtare, me rrezikun e madh të zbulimit nga të zotët e shtëpisë dhe dhënies së alarmit.

Variant 2: Nëse nxënësi që e ka gjetur, më saktë ia kanë dhënë familjarët, nuk e ka kthyer ende kopjen, variant i parë, domethënë grabitja, të kryhet në shtëpinë e nxënësit. Me këtë rast bëhet më mirë edhe për të mbyllur gojët e liga, që do të thoshin se, ja, mirë që u dënua nga regjimi autori i ndjerë, por, si të mos mjaftonte kjo, tani në demokraci, shkojnë i vjedhin edhe veprën.

Variant 3 : Ndonjë nxënës i talentuar (më i talentuar se “profesori”, kuptohet) t’i vihet rishkrimit të veprës. Për të qenë në rregull me terminologjinë, ta shkruajë nga e para, pasi ai/ ajo i di vetëm titullin. Kësisoj, nuk mund të fajësohet as për vjedhje, kopjim të tekstit , por nuk mund të quhet as vepër apokrife. (këtë llafin e fundit “profi” me siguri nuk e di, por nuk kemi ç’t’i bëjmë! Fundja, le të hapë fjalorët, apo shokun tonë të ngushtë, Google-in. Ishalla e gjen në shqip, se gjuhë të huaja, aha, as zullulandçe nuk di).

Variant 4/1, (i parafundit): Të ringjallet së vdekurish shkonjëtori T.M. dhe të rimerret në pyetje mbi dramën dhe…,

Variant 4/2 ,(i fundit, më në fund!): Po nuk e pati zamet, ta shkruajë edhe një herë atë të shkretë libër, ashtu siç e mban mend, se na ka hapur telashe të mëdha.

KANDIDATËT

Po afronin zgjedhjet e radhës dhe, ashtu si në gjithë katundet tona, kërkoheshin rob sa ma të mirë e të zgjuar që të drejtonin punët e të mos i ngelte hatri miletit, që kërkon herë qofte ke daja, herë qiqra në hell. Jo andej, po këndej, u sajua një listë emërore për zgjedhjet në komunën Qyqjaminone. U propozuan këta emra si kandidatë për kryetar të komunës inkomune:

Kukudhe Kukuja

Pinuc Pinca

Sqepo Sqepari

Hukubet Kubeti

Hike Hundëqurrja

Qamo Qameti

Kiko Kaka

Kosar Kosa

Sherbete Beterri

Zgarda Zgardaballa

Ndërsa për këshilltarë të komunës propozohen zonjat dhe zotërinjtë e mëposhtëm:

Gerson Nilsholgersoni

Harri Poteremadhi

Çiçi Çorapgrisuri

Ari Masha

Çiço Pashurra

Cice Majuci

Miri Keqi

Shume Pakja

Drite Nata

Kece Dhia

Në përfundim të votimeve, votat do të numërohen një nga një (pa lënë litar) nga komisioni i ekspertëve të panjohur me znj. Sose Sisëmadhja në krye. Është një komision kaq i pavarur, sa nuk ia varin as robt e shpisë.

Rezultatet e dala nga numërimi një po- një jo i votave, do të jepen nga zëdhënësi pa zë fare, zotni Tyryfyl Trëndafili. Vëzhgues do të jenë zoja e rondë Kote Futjakoti dhe gjyszotnia Vesho Pallaveshi. Online do t'i gjeni te portali www.kotnasikoti.al

 

  1. S.: Kujdes! Vota juaj në vesh të Qeverisë. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH