Letërsi

Dashuri njerëzore në zjarrin e luftës

Shkruar nga Liberale
Dashuri njerëzore në zjarrin e luftës

Shënime për romanin “Oficeri i Hitlerit”, të shkrimtarit Viktor Canosinaj

Behar Gjoka

Teksti i prozës “Oficeri i Hitlerit”, shënon romanin e trembëdhjetë të autorit. Kjo anë e shkrimit letrar të autorit, dëshmon rrugëtimin e rrokshëm, si gjasa shtigjesh ligjërimore në lëvrimin e zhanrit të romanit, vetëm për të rritur. E veçanta e realitetit letrar, kurrsesi rrethanat fiktive, por vetëm substanca e brendshme, që shqiptohet në tekst, është pranëvënia e luftës së fundit botërore, si një kohë gati e harruar, me dashurinë, ndjenjën e lashtë sa bota. Pranëvënia e këtillë, qarkëzon mundësinë e kërkimit të shpirtit të qenies, e cila vetiu të sjell ndërmend idenë e Gjergj Llukash, kur nënvizon: …shpirti qëndron në mes të botës; kufiri që krijon konturet e tij nuk dallohet, në esencë, në konturet e gjërave. , pohuar te libri “Teoria e romanit”. Në vështrim të parë, lufta dhe dashuria, ndërkaq janë si dy pika horizonti, të cilat vetëm se largohen. Bota romanore, që rrok kohëra dhe hapësira të ndryshme, jo vetëm e sugjeron, por në pikëvështrim imagjinar, ia ka mbërritur që të vendos një raport tjetër, një domosdoshmëri marrëdhënie të ndërmjetshme, gati të pazakontë, se luftën tekembramja e ndalon dashuria, në të gjitha përmasat e saj.

Aq më tepër, që faqet e librit, përmes narrativës së autorit dhe të protagonistëve, të përthyerjes së përfillshme të segmenteve ndërkohore, që ndërrohen në hapësirën e tekstit, si dhe të një strukture të gjetur kompozicionale, zbulojnë një dashuri të madhe, që në fakt realisht e davariti dhe e mërgoi barotin e luftës, nga jeta e personazheve. Kjo rrethanë përcillet në një situatë të tekstit: … të gjitha harrohen një ditë: luftërat, armiqësitë, urrejtja, heronjtë që vriten kot, për një ideal të gënjeshtërt, por dashuria njerezore mbetet. (2018: 125), ku pohohet hapur si mesazh. Një oficer nazist, që në jetën e përditshme është bujk dhe veteriner, bie në dashuri me një partizane, që rrezikoi të humb jetën në Bosnje, në moshën 17 vjeçare. Është koha e ashpër e luftës, qenia njerëzore rrethohet nga muret ndarës ideologjikë, dhe prandaj lidhjen më përtej absurdit, e paraqet gati si të pamundur. Megjithatë, e vërteta jetësore dhe letrare, i shpërfill hamendësimet, e tejkalon atmosferën e luftës, e shpërfill cakut e rrezikut të vetë jetës, dhe sendërton një situatë që të merr në rrokullimën e leximit, të së pamundshmes, që fantazia e shpalos si gjendje paqëtuese, e cila ndërkohë gjeneron mbijetesën e qenies.

Në këtë roman, dy armiqtë ideologjikë, luftëtarët e fronteve të ndryshme, lufta e ashpër çnjerëzore, i vuri në sprovën e pazakontë të fatit të përbashkët. Zgripi i mbramë i luftës, sikur në ëndërr a në përrallë, ka vënë kaq pranë, humnerën e zjarrit të luftës dhe fluturimin e beftë për ta shpëtuar jetën, në krahët e dashurisë. Fati i përbashkët, rreziku i prekjes së vdekjes, shembi paragjykimet, ideologjitë, armiqësitë dhe Katerina dhe Juliusi, jetuan simfoninë e dashurisë, që lindi në vlagën e luftës, ndonëse “partizania” e dikurshme, jetoi edhe vizitën te varri i saj, mësoi që i kishin ngritur bust në gjallje, erdhi dhe iku e tmerruar, si në një udhëtim makabër, çka tregon që komunizmi dhe nazizmi, luajti me jetën dhe vdekjen, në luftë dhe paqe…

Ndërkohësia dhe hapësira e pamatshme

Dy elementët kryesorë të sendërtimit të zhanrit të prozës së gjatë, të një romani të mirëfilltë, si rrokje tërësore e jetës, është koha dhe hapësira. Koha, si dimension dinamik, vjen e shpalosur si çaste shumëkohore, që megjithatë është e gërshetuar si ndërkohësi.

A – Ndërkohësia si përmasë tejet e gjerë, duke ardhur deri në ditët e sotme, megjithatë shtjellohet në këto ndarje kryesore:

  • Paslufta, që përcillet me shënimin “Ish-jugosllavi dhe Austri 1945-1950”, ku parashtrohet shtegtimi i protagonistëve, i partizanes së plagosur dhe oficerit njeri, që përbëhet nga tre hapësira teksti të gjatë, të cilët enden nëpër rrathët e ferrit të luftës, për shkak të betejës absurde në mes nazizmit dhe komunizmit, dy shtigjet ideologjike, që e shkatërruan njerezimin.
  • Rikthimi tek makthi ideologjik, në Shqipërinë diktatoriale, që zbulohet në përcaktimin: “Shqipëri, Fillim i Nëntorit”, që sendërtohet në një episode pa numër.

B – Hapësira, që është e pamatshme, në kuptimin e parë të kësaj fjale, shpërfaqet në këto aspekte:

  • Ikja për në tokën e premtuar, e cila vjen në pjesën “Australia, shteti Viktoria, Konteja Poluorth, 1972”, e para si ngasje e njeriut për ta zbuluar botën.
  • Vijim i situatës në pjesën “Australi” që plazmohet vetëm në një episod, ku koha paraqitet e ngrirë. Për të vijuar me episodet “Itali, Austri, 1976”, një episod më tepër kalimtar në roman. Apo në pasazhin “Australi, 1976-1990”, ku ndeshim atmosferën e e fëmijëve si bij të kohës. Përmbyllja me episodin “Australi, Itali, Shqipëri, 1990-1992, rikthimi në kohën e luftës dhe rigjetja e atdheut të humbur.

C – Kapitulli i fundit, ku bie sipari i tablosë së endur në faqet e librit.

Marrëdhënia e ngjeshur e kohës dhe hapësirës, shpesh e përmbysur dhe e rimarrë, ndërkaq ka projektuar kompozicionin e romanit, si dhe ka ndërfutur një libër brenda tekstit (Viki e bija e çiftit shkruan një libër) që anëson nga copëtimi dhe shpalimi modern i ndodhive, derdhur në një strukturë dinamike.

Kapërthimi i linjave romanore

Romani “Oficeri i Hitlerit”, pavarësisht situatave të ngjeshura kohore dhe hapësinore, përmbysjeve dhe kthimeve mbrapa, megjithatë në tekst janë përvijuar disa linja, të cilat autori i kapërthur dhe shqipton me realizëm, ku si më të rëndësishmet janë:

Së pari: Linja e luftës dhe pasojat e saj, të cilat me problematikat e lëna po zgjaten deri në ditët e sotme, si një akt domethënës që ka prishur ekuilibrat njerëzore, individuale dhe shoqërore, duke qenë një moment i pazakontë, me shumë ankth dhe frikë, kur qenia njerëzore shndërrohet në shifër, pa formë dhe vlerë, dhe vetëm numron se sa u vranë, sa u plagosën e sa mbetën gjallë.

Së dyti: Si një limfë përbashkuese, e shtrirë në gjithë hapësirën e tekstit, është shpalosur ndjenja e fortë e dashurisë, ku madje ndeshesh me disa pamje, si formë e pështirë e saj, me komisarin hipokrit, por edhe në formën platonike, me Viganin, partizanin trim dhe sigurimsin e çuditshëm, porse dashuria e vërtetë, si një rast përtej rregullit, mishërohet në lidhjen me oficerin e Hitlerit, që i shpëton jetën, kur ishte e plagosur, që në faqen 45 portretizohet: …si një skifter, që rrëmben një pëllumbeshë të hutuar, si një parafrazë që nuk ka lidhje me ndjenjën e bukur, por të fton për të gjezdisur realitetin letrar.

Kuptohet që dy linjat, të shtjelluara në gjithë spektrin e tyre në tekst, herë ecin paralel, si dy binarë të fatit të protagonistëve, e shpesh herë përplasen dhe kryqëzohen, duke endur kështu një gjendje të përveçme artistike. Fati i përbashkët, qarkuar në zjarrin e luftës, i vuri në sprovën e mbijetesës, e gjetjes së shtyegut për të shpëtuar nga ferri, duke të ndërmendur idenë e Eric Fromm, kur nënvizonte: Mënyra e të menduarit përcaktohet në një shkallë të madhe nga çka bëjmë dhe nga çka dëshirojmë të arrijmë. , te libri Gjuha e harruar. Krahas këtyre linjave, që shenjojnë boshtin e romanit, në hapësirën e tekstit, të këtij romani të ndërlikuar si struktura narrative dhe subjektore, fanitet edhe linja e jetës së zakonshme të familjes Vogli, të cilët janë njerëz të thjeshtë dhe të punës, si dhe linja e shtegtimit nëpër botë, që ndërlidhet me emigrimin e dy personazheve kryesorë në Australi.

Personazhet e konceptuar si jashtëkohor

Dy protagonistët, Katerina dhe Juliusi, të plazmuara në tiparet e tyre, në zbulimin e ndjenjës së dashurisë, duke dëpërtuar në botën e brendshme, por edhe në përfaqësimin e universit individual, që formësohet në rrëfim dhe në replika, si dhe në figura të tjera që lëvizin në hapësirën e romanit, ndonëse duket sikur përkojnë rastësisht me rrafshet ndërkohore, më tepër i përkasin jashtëkohësisë, në kuptimin që e kapërcejnë atë dhe rrokin tipa karakteresh të tjetërsojshëm. Vetë fati i tyre, pra i personazheve qëndrorë, dashuria në kohën e luftës, një dashuri e madhe dhe përtrimëse e tmerrit të provuar, i shkëput nga ato rrethana, madje duke i shpërndërruar në figura njerëzore komplekse, që më shumë ngjajnë me hijet dhe fantazmat.

Në Austri, pavarësisht pranisë së rrezikut, që është pranë tyre, megjithatë ato janë më të sigurte se në frontin e luftës, ndonëse vendi dhe koha nuk i pranon sit ë barabartë, ose ka më shumë mundësi, është një iluzion pasojë, i cili qëndron afër çdo hapi që hedhin, anipse lufta ka mbaruar, mbërritja e paqes tek ata vjen pak më vonë. Prandaj, pa vonesë, partizania e dikurshme dhe oficeri nazist, që është kthyer në jetën normale, aty është ka qenë, adhurimin e Hanës, lopës që e lumturonte, marrin udhën për në anën tjetër të botës, në Australinë e largët. Ata nuk ikën për të gjetur kohën e humbur, që në fakt mjedisi ku jetonin ua kujtonte secilin moment, por vetëm për të ecur në kohën e tyre, që më shumë endet në pakohësi.

Duke patur dashurinë në mes, besimin e thellë në këtë ndjesi të bukur, koha reale e përjetimit, gati e humbet kuptimin, sepse protagonistët jetojnë “motin” e dashurisë së mbrujtur në zhurmat e barotit. Qenësia e tyre, si një dëshmi e pa kohë, madje e skicuar tipikisht si jashtëkohor, zbulohet me ardhjen e heroinës në Shqipëri, ku vërtet i kanë ngritur bust, por edhe e kanë fshirë nga lista e të gjallëve, një e pangjarë që e lë pa fjalë heroinën. Thurja e kësaj “gjendje letrare”, krejt të pazakontë, një term i Italo Clavinos, pothuajse të pezulltë, të mbijetesës së personazheve, laryshisë së tyre, që shfaqet befas në faqet e librit, e veçmas të Katerinës dhe Juliusit, ka ulur dhe sfumuar peshën e kohës pa kohë dhe mbi të gjitha ka nxjerrë në një dritë tjetër, fatin e tyre, dashurinë e veçantë, që i shpëtoi nga kthetrat e luftës.

Specifika narrative dhe dialogu

Thelbi i rrëfimit, si magji e realizimit të prozës, në hapësirën e romanit “Oficeri i Hitlerit”, buron dhe shpallet nëpërmjet gërshetimit të narratives së autorit me atë të personazhit, gjë që e ka pasuruar atmosferën e realitetit letrar. Specifika e poetikës së prozës, siç e pati përcaktuar me herët T. Todorov, në këtë tekst ndërlidhet me hapësirën dhe peshën e secilës formë narrative, çka në roman të zbulohet edhe si një ekuilibër i të dyja mënyrave, por që megjithatë shpesh anësohet nga rrëfimi i personazheve. Ndërrimi i vendeve të rrëfimtarëve të ndryshëm, e ka bërë situatën tekstologjike më të beftë, më dinamike vetë rrjedhën e ngjarjeve, po kaq u ka mëveshur personazheve një shumëngjyrësi tërheqëse. Identifikimi i secilit rrëfimtar, pra i personazhit dhe autorit, si një plan i gjerësisë ligjërimore, po kaq ndërrimi i radhës së paraqitjes së tyre, i ka dhënë ritmikë të pazakontë spektrit narrative.

Tipika e narrativës së personazhit, materializohet në episodet ku rrëfen Katerina, që zotëron një hapësirë të përfillshme të materies romanore, e cila zë fill me pjesën e parë, vijon në pjesën Australia, në shumicën e pasazheve që kanë në qendër këtë hapësirë. Tonaliteti rrëfimor i Katerisë, materializuar në përzgjedhjen e fjalëve, në derdhjen e ndjenjave më të buta, të topikës femërore, preket në pasazhet ku ajo shpalon botën e saj. Ndërkaq, tipologjia e narrativës së autorit, një mënyrë më e konsoliduar në prozën e shkrimtarit, e shprehur në morinë e romaneve shkruar prej tij, ndërfutet me larmi ngjyrash në episode të ndryshme, në pjesën e parë, në pjesën e tretë, ku ngjarjet lëvizin në Itali, Austri, Australi, Shqipëri 1990-1992, duke krijuar kështu një pentagram rrëfimor të befasishëm.

Anësimi nga narrativa e personazheve, krahas dialogut replikues dhe dinamik, shpesh herë shoqëruar me shqiptim dramatik, kanë mundësuar identifikimin e plotë të tyre. Një identifikim i brendashkruar, si rrafsh ligjërimor narrativ dhe replika dialoguese, që ndikojnë për të zbuluar brendësinë e tyre tipologjike. Kuptohet se peshë specifike në karakterizimin e personazheve kanë edhe replikat që përdorin, që përplotëson dhe shpërfaq tipat e pranishëm në këtë tekst, të cilat evidetojnë botën e secilit prej personazheve, duke mbetur pjesë e tipareve më karakteristike, që bartin.

Kujtesa si vetëdije mbijetese

Rrokja e kohës, si caqe të shtrira nga Lufta e fundit Botërore, deri në vitet e shekullit të ri, si dhe hapësira e veprimeve të personazheve që endet midis kontinentesh, ka mëtuar dhe dëshmuar në hapësirën tekstologjike një element thelbësor të kujtesës, si një kahje që mundëson projektimin e botës ndryshe, me gjasë e pranimit të Tjetrit, ashtu siç është. Kujtesa e rrokur me shumëformësi, mbi tmerret e luftës dhe dashurinë e Katit me Juliusin, që madje ia mbërriti me shemb muret ideologjikë të nazizmit dhe komunizmit, shpërfaqet përmes rrafsheve imagjinare, të cilat mbeten të lidhura ngushtësisht me jetësoren. Kujtesa e shtegtimit nga njëri vend në tjetrin, në kërkim të lirisë, tashmë si lëvizje e pashmangshme, që është një proces i pandërprerë.

Kujtesa e tmerrit eksperimental, kryer me qenien shqiptare, në vitet e diktaturës, që vijnë si sfond i ndërkohësisë, për ta tjetërsuar njeriun, deri në modelin shkatërrimtar të njeriut të ri, si një akt që na ka lënë edhe pa të sotme. Në mesin e tyre, me një rol të pazakontë, fanitet kujtesa fëminore, që e ka gdhendur magjinë e të jetuarit si në ëndërr. Laryshia e memories së projektuar si kreativitet imagjinar, që në fakt zbulon përmasat e qenies, po kaq na sjellë në vëmendje sugjerimin e Kunderës, se pa kujtesë, e keqja përsëritet, por edhe që e keqaj të mos bëhet pjesë e përditshmërisë, që ia vë këmbën në fyt njeriut. Teksti “Oficeri i Hitlerit”, i V. Canosinajt, më tepër si nëntekst, është një roman kujtese dhe mbijetese. Një libër kujtese, në marrëdhënie me kohë si kapërthim ndërkohor, si dhe një akt mbijetese në kontekstin e rrathëve të ferrit në të cilat e futi lufta qenie njerëzore./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH