Gani Mehmetaj
Nuk mund të them se e ndjek me përkushtim krijimtarinë letrare shqiptare të vjetëve të fundit, nuk e ndjek as “modën” e stileve letrare, por çmimi “Kadare” dhe titulli i romanit “Duhet të jetë dashuri” të Nurie Emrullai me provokoi në mënyrë të veçantë. Nuk kisha lexuar asgjë nga kjo autore. Fare pak kisha informacion nga hapësira shqiptare nga vjen poetesha kërçovare, edhe pse ajo ka botuar tri përmbledhje poezish.
Titulli provokativ dhe tema e dashurisë me bënë kureshtar. Personazhet janë të zakonshëm, por të pazakonshme janë marrëdhëniet e tyre në një trekëndësh të çuditshëm. Në leximin e romanit me joshi stili, lehtësia e të shprehurit të ndjenjave, dinamika e rrëfimit, dendësia e emocioneve dhe vetmia që vjen si intermeco. Nuk është roman dashurie rozë, por ka dashuri e vetmi, ka shkulmë rebelimi e sfidë. Romani nuk është prozë poetike në kuptimin klasik, sepse ka subjekt, protagonistë, përplasje a konflikt, trajton edhe temën shoqërore të pabarazisë së gruas, jetën provinciale, ku gjërat kanë lëvizur pak gjatë historisë më të re.
Autorja merret edhe me temën e lindjes e të vdekjes, kuptimin e jetës, kopshtin e Edenit, paraardhësit tonë Adamin dhe Evën, por pa dozën e mëkatit që gjithnjë u vihet si barrë, sepse e hëngrën mollën e ndaluar. Autorja përsiat edhe për Abelin dhe Kainin. Dashuria nuk është mëkat, as mallkim, është një ndjenjë që duhet përjetuar dhe duhet t’i pihet lëngu deri në fund.
Leximi i kwtij romani të shijon. Protagonistja kur e gjen dashurinë e sfidon shoqërinë, jeton në një trekëndësh dashurie, në raporte të pazakonshme që është karakteristikë e kohës moderne, por që po ashtu është e vjetër sa vet shoqëria.
Autorja nuk ngurron të jetë e hapur, e drejtpërdrejtë, e lehtë në komunikim, e çiltër në qasje. Ajo është moderne, por jeton në mes të dy botëve: asaj që përpiqet t’i shmanget dhe asaj që e josh e provokon njëkohësisht.
Irisi, protagonistja e romanit “ Duhet të jetë dashuria”, vajzë e re, gjakon dashurinë, shkruan poezi dhe e do pikturën, ashtu si e shijon me kënaqësi këngëtarin kontrovers e të pazakonshëm Dejvid Bovie (David Bowie), e lexon Murakamin dhe e gjakon Lorken. Zëri i saj kryengritës për pabarazi është diku në errësirë, por herë-herë del në sipërfaqe, e kritikon jetën e amullt, e acaron ngathtësia e jetës provinciale dhe e pikëllon monotonia.
Proza e Nurie Emrullait është e guximshme, sfiduese, shquhet me ndjeshmëri, i këndon himn dashurisë, por e përballon edhe vetminë.
Athua për te dashuria është e përkohshme, xixa stralli, ndërsa vetmia është e përjetshme? Thyerja e rregullave të ngurta është thyerje e vargonjve të robërisë në familje, shoqëri dhe në dysh. Kur i thënë rregullat Irisi i autores proteston, rebelohet, kur e kundërshton përsëritjen e përditshmërisë, ajo përpiqet të gjen të përkryerën.
Që të mësoja më shumë për autoren provova të gjeja përmbledhjet e poezive, por hoqa dorë, sepse mu kujtua se ora ime kishte ngecur të Lorka e Majakovski. Pesoan e kisha lexuar në fragmente. Me këngëtarin e preferuar të Nuries qëndroja më mirë.
Nuk dua ta krahasoj me asnjë shkrimtar në veri a në jug, nuk dua ta krahasoj as me shkrimtarë jashtë hapësirës shqiptare, edhe pse ajo nuk është ishull i vetmuar: Murakamin e ka frymëzim, Dejvid Bovin e ka ushqim (edhe brezi ynë e adhuronte), por ajo ka zë të veçantë artistik, ndërsa emocionet i bartë përmes ndijimeve femërore.
Nurie Emrullai është vetja, ka talent, ka akumuluar lexim, përvojë e guxim. Për prozën “Duhet të jetë dashuria” e përgëzoj. Me të parën ka goditur në shenj.