Evropa ka regjistruar 30.000 raste me fruth vitin e kaluar, apo 30 herë më shumë raste se vitin 2022, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke bërë thirrje për një fushatë “urgjente” të vaksinimit.
“Ne kemi në rajon jo vetëm rritje 30-fish më të lartë të rasteve me fruth, por pothuajse 21.000 hospitalizime dhe pesë vdekje të lidhura me fruthin. Kjo është shqetësuese”, tha OBSH-ja.
Rajoni i Evropës që OBSH-ja mbulon përfshin 53 shtete, përfshirë Rusinë dhe Azinë Qendrore. Dyzet shtete kanë regjistruar raste me fruth më 2023, tha organizata, shkruan REL.
Rusia dhe Kazakistani kanë regjistruar më së shumti raste, përkatësisht nga 10.000 raste secila. Evropa Perëndimore, Britania po ashtu kanë regjistruar 183 raste.