Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kujtoi sakrificën e heronjve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe të Kadri Zekës.
Pasi bëri homazhe, zonja Osmani kërkoi që autorët e vrasjeve të vihen para drejtësisë.
“Sot është 17 janari, ditë e dhimbshme për Republikën e Kosovës. Në këtë përvjetor, më shumë se 4 dekada më parë u vranë pabesisht në një atentat Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Sot jemi sikurse çdo vit në nderim të tyre, sepse qysh atëherë i pamë në mënyrën më mizore përpjekjet e Serbisë për të ndaluar kauzën tonë kombëtare dhe rezistencën tonë kombëtare për liri.
Mirëpo, siç dihet asnjëherë regjimet e tilla hegjemoniste, regjimet gjenocidale nuk mund ta ndalin shpirtin e një populli të tërë për të jetuar të lirë. Edhe sot përkujtojmë me dhimbje sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për liri.
Njëkohësisht sot është edhe përvjetori i vrasjes makabre dhe atentatit ndaj Smajl Hajdarajt, i cili u vra fatkeqësisht pas luftës por po ashtu nga njerëz që ishin kundër lirisë së Kosovës. E përkujtojmë edhe atë me dhimbje dhe njëkohësisht bëjmë thirrje të vënë autorët para drejtësisë dhe institucionet tona të drejtësisë të bëjnë çmos në mënyrë që ata kryen këto vrasje edhe pasluftës të përballen me drejtësi", tha Osmani.