Kosova

Presidentja Osmani: Serbia synon destabilizimin e Kosovës, institucionet tona janë të gatshme

Shkruar nga Liberale.al

 

Presidentja Osmani: Serbia synon destabilizimin e Kosovës, institucionet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia ka pasur dhe vazhdon të ketë qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Ajo tha se këtë vlerësim e ka ndarë edhe gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, duke u mbështetur në informacione të vazhdueshme nga institucionet e sigurisë të vendit.

“Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente.

Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për media në Prishtinë, pas kthimit nga disa vizita në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni.

Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë. Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”.

“I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”.

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH