Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përsëritur akuzat ndaj Serbisë, duke thënë se po vepron si një dorë e zgjatur e Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor.
Nga Letonia, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Osmani është shprehur se nuk ka tensione mes Kosovës dhe Serbisë, por agresion nga Beogradi dhe mbrojtje nga Prishtina.
“Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht. Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar asnjë centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tone”, tha Osmani.
Kujtojmë se disa ditë më parë Osmani përsëriti deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump që kishte thënë se kishte parandaluar një përshkallëzim mes Serbisë dhe Kosovës duke nënvizuar se bëhej fjalë për zhvillime të kohëve të fundit.
Por deklaratat e OSmanit nxitën kritika të forta nga i dërguari special i Trump, Richard Grenell, i cili e akuzoi presidenten e Kosovës për manipulim. Për këtë Osmani pritet të mbajë një konferencë për media ku do të japë detaje të mëtejshme sapo të kthehet në Kosovë.
Deklaratat vijnë në një kohë që dialogu dhe negociatat midis dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve kanë ngecur.