Kosova

Kuvendi i Kosovës dështon për herë të 48-të të konstituohet

Shkruar nga Liberale
Kuvendi i Kosovës dështon për herë të 48-të

Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe në tentimin e së enjtes, pavarësisht se po soset afati i dhënë nga gjykata më e lartë e vendit për formimin e institucionit ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.

Kjo është hera e 48-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.

Edhe në këtë mbledhje, partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

Në seancën e 17 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Seanca dështoi dhe vazhdimi i radhës do të mbahet më 19 korrik.

Ndërkohë, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi që Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet.

 

 

Liberale Newsroom

Poll
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH