Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim të fortë ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila shfuqizoi Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë.
Sipas Gjykatës, ky udhëzim është miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë që, sipas saj, nuk kanë kompetenca për nxjerrjen e akteve nënligjore. Megjithatë, Qeveria e Kosovës e konsideron këtë arsyetim të pabazuar ligjërisht dhe një interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore.
Në deklaratën e saj, Qeveria thekson se neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk ndalon nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveritë apo ministrat në detyrë, duke kufizuar veprimtarinë e tyre vetëm në çështje madhore, si marrëveshjet ndërkombëtare, amendamentet kushtetuese, projektligjet e reja apo strategjitë, por jo në lëshimin e akteve zbatuese si ky udhëzim administrativ.
Gjithashtu, Qeveria thekson se procedura për hartimin e Udhëzimit Administrativ kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur kishte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, gjë që i jep legjitimitet të plotë këtij akti.
Qeveria vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme është i dobët edhe në aspektin kushtetues dhe logjik, pasi njeh funksionimin e Qeverisë në detyrë, por i mohon asaj kompetenca që ligji nuk i ndalon, duke krijuar kontradikta dhe duke cenuar sigurinë juridike dhe funksionimin e pandërprerë të institucioneve ekzekutive.
Në lidhje me pretendimin për konflikt funksional mes ministrit në detyrë dhe deputetit, Qeveria kujton Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO124/25, sipas të cilit Kuvendi i Kosovës nuk është funksionalizuar ende për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve, prandaj nuk ekziston konflikt funksional mes këtyre pozitave.
Në përfundim, Qeveria e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj ndaj respektimit të rendit kushtetues dhe ligjor dhe funksionimit të pandërprerë të institucioneve shtetërore, duke kërkuar që vendimet e drejtësisë të bazohen në standarde të qarta juridike dhe jo në interpretime njëanshme apo motivime politike.
Qeveria njofton gjithashtu se do të përdorë të gjitha mjetet juridike në dispozicion për të rivendosur ligjshmërinë dhe standardet demokratike.