Presidentja Vjosa Osmani ka folur në forumin në Pragë në lidhje me integrimin europian dhe negociatat me Serbinë.
Osmani u shpreh se negociatat me Serbinë kanë ngecur sepse shtetet nuk po trajtohen barabartë dhe Beogradi nuk i ka përmbushur detyrimet.
“Nëse shohim listën e zotimeve që Serbia nuk i ka përmbushur… është shumë shumë e gjatë, do të na duhej deri nesër që ta lexonim. Është e lehtë ta konfirmoni, mos besoni interpretimin tim. Zgjidhni cilëndo marrëveshje, qoftë marrëveshja për lëvizje të lirë, marrëveshjen për njohjen e diplomave, njohjen e dokumenteve të tjera e të tjera, asnjëra nuk janë zbatuar, as ajo që obligon Serbinë që t’i largojë strukturat paralele ilegale nga Kosova, por fillimisht në veri. Por çfarë ka ndodhur është se në vend të heqjes së tyre, Serbia i ka forcuar vazhdimisht në atë masë sa këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafie dhe janë kthyer në rrezikun më të madh për serbët e veriut”, ka thënë ajo nga samiti i sigurisë në Pragë.
Presidentja tha se pavarësisht se DSerbia nuk i ka përmbushur detyrimet, Kosova është nën masat e BE-së dhe nëse nuk ka barazi, nuk mund të ketë rezultate të prekshme.
“Pavarësisht të gjithë kësaj dhe listës së moszbatimit nga Serbia, gjeni cila palë është nën masa të BE. Është pala që është 100% në linjë me BE-në, pala që asnjëherë nuk merr armë nga Rusia, Kina apo Irani, është pala që 95% e popullit të së cilës janë në favor të BE-së, pala që kurrë nuk ka kryer akt agresioni ndaj fqinjëve të saj, që nuk destabilizon fqinjët, që nuk përdor rusët MIG të fluturojë mbi fqinjët e saj, kjo është pala që është nën masa. Është Kosova. Prandaj tavolina është përmbys. Kur nuk ke barazi qysh në themel të çfarëdo procesi negociues, askush nuk duhet të ëndërrojë për rezultate të prekshme që edhe mund të zbatohen në terren”, deklaroi presidentja.