Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik të institucioneve të Kosovës.
Gjatë takimit, u trajtuan gjithashtu zhvillimet në Gjermani pas formimit të qeverisë së re. Presidentja Osmani shprehu bindjen se përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor do të mbetet një prioritet edhe në fazën e re politike në Berlin.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, për të cilat të dy palët theksuan domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm. Presidentja Osmani vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të Gjermanisë në përkrahjen e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, si dhe rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje në kuadër të strukturave të Bashkimit Evropian.
Pjesë e diskutimit ishte edhe Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet këtë vit në Prishtinë. Të dy përfaqësuesit konfirmuan angazhimin e përbashkët për avancimin e kësaj agjende dhe përkrahjen e nismave që promovojnë barazinë dhe paqen në rajon.