Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Serbisë dhe Letonisë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Silvinho zhvilloi pasditen e sotme seancën e parë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.
Gjatë seancës u vlerësua gjendja fizike e lojtarëve dhe u provuan disa skema taktike. Sipas njoftimit nga Departamenti i Komunikimit në FSHF, ekipi u stërvit i plotë me të gjithë lojtarët që kanë mbërritur në vend.
Lojtarët Jasir Asani dhe Arlind Ajeti pritet t’i bashkohen ekipit në orët në vijim. Ndërkohë, seanca e radhës do të zhvillohet nesër pasdite dhe do të jetë e hapur për median gjatë 15 minutave të para.
Atmosfera në grup është pozitive dhe puna ka nisur me seriozitet për të qenë gati për dy sfidat e rëndësishme që e presin kuqezinjtë.