Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër deputetët opozitarë për mosmbështetjen ndaj kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Ai tha se është e padrejtë që ata që kanë mbështetur vendime të debatueshme në të kaluarën, tani refuzojnë një figurë që, sipas tij, përfaqëson vullnetin e qytetarëve.
Gjatë një takimi me gra të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti përmendi disa vendime që i konsideron të dëmshme për vendin, dhe që janë votuar nga të njëjtët deputetë që tani kundërshtojnë Haxhiun. Ai përmendi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Gjykatën Speciale, amnistinë për krimet në veri, si dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
“Albulena është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe për këtë meriton respekt. Por opozita jo vetëm që nuk e mbështeti, por edhe pengoi kuorumin për votimin e saj”, tha Kurti.
Ai shtoi se pesë nga deputetët opozitarë që tani kritikojnë Vetëvendosjen, kanë qenë pjesë e vendimeve që ai i cilëson të dëmshme për Kosovën, ndërsa Albulena Haxhiu nuk ka qenë përfshirë në asnjë prej tyre.