Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për dy vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.
Sipas aktakuzës, ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë periudhës ndërmjet 9 janarit dhe 8 prillit 2021. Dy të pandehurit kishin planifikuar vrasjen e Rexhepit me qëllim përfitimin e pasurisë së tij.
Më 8 prill 2021, Bedri Rexhepi ishte dërguar nga Jeton Vllasaliu në shtëpinë e vëllait të tij Nexhat në fshatin Vllasali, ku më pas u vra në mënyrë tinëzare nga Jetoni, në besim se Rexhepi kishte me vete një shumë të konsiderueshme parash.
Pas vrasjes, veturën e viktimës Jeton e kishte fshehur në arat e fshatit Shushicë, Janjevë. Më pas, ai kishte telefonuar Nexhatin, i cili kishte shkuar ta merrte me makinën e tij personale, duke e ndihmuar kështu në fshehjen e provave.
Në bazë të këtyre veprimeve, vëllezërit akuzohen për vrasje të rëndë dhe dëmtim të varreve apo kufomave.