Një fëmijë 4-vjeçar ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike në fshatin Dardani të Ferizajt, pasi u godit nga një veturë në oborrin e shtëpisë së tij. Ngasësi i makinës ka lidhje familjare me viktimën.
Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se fëmija u dërgua në ambulancën e fshatit Pozheran, por mjeku konstatoi se ai kishte ndërruar jetë.
Ngasësi është shoqëruar menjëherë në stacionin policor dhe po mbahet nën hetim. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për rastin, duke e trajtuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Ngasësi është ndaluar për 48 orë, ndërsa njësitet policore vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.