Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, ka folur para ndeshjes së shumëpritur ndaj Serbisë, duke theksuar rëndësinë që kjo sfidë ka si brenda fushe, ashtu edhe jashtë saj.
“Të gjithë jemi të përqendruar. E dimë që kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për popullin tonë. Duhet të hyjmë në fushë me qetësi dhe të japim maksimumin për të marrë tri pikët,” – u shpreh Hysaj.
Ai tha se ka folur me disa lojtarë për rëndësinë emocionale të kësaj ndeshjeje dhe për historinë që lidh dy vendet, por theksoi se duhet të fokusohemi vetëm në futboll.
“Nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi në të kaluarën. Ne luajmë për shtetin dhe kombin, dhe një fitore do të ishte një krenari e madhe,” – shtoi ai.
Hysaj tha se tashmë është rikuperuar nga dëmtimi dhe ndjehet në formë të mirë: “Çunat janë të motivuar dhe në stërvitje po tregojnë përqendrim maksimal. E dimë që Serbia ka lojtarë të fortë, por edhe ne kemi forcën për të luftuar dhe për ta fituar ndeshjen.”
Në fund, Hysaj theksoi se edhe pse të gjitha ndeshjet e grupit janë të rëndësishme, kjo është një sfidë direkte dhe shumë e veçantë për Shqipërinë.