Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se 70% e tenderëve gjatë vitit 2020 dhe periudhës së parë të vitit 2021 rezultojnë me probleme sa i takon hartimit të kritereve.
Gjatë takimit me ministrat dhe titullarët e institucioneve kontraktore, kreu i qeverisë theksoi se një problem tjetër është se 20% e institucioneve nuk kanë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike.
“Gjatë vitit 2020 dhe 6 mujorit të parë të vitit 2021 janë hetuar administrativisht 57 procedura të prokurimi. Ajo që ka rëndësi është se janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit, janë konstatuar kritere kualifikimi që nuk kanë lidhje fare me objektin e kontratës. Është konstatuar kualifikim dhe shpallje fitues operatorë ekonomikë që nuk plotësojë kriteret e kualifikimit. Për këto arsye janë hetuar me gjobë 41 punonjës dhe masë disiplinore 92 punonjës”, shtoi Rama.
Kryeministri u bëri të qartë ministrave se nëse nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre pas rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike për tendera me probleme, do i çojë në SPAK.
Kryeministri foli edhe paketën e re ligjore për prokurimet, që sipas tij adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet.
“Paketa e re ligjore synon pikërisht që t’u japë autoriteteve kontraktore dhe shtetit shqiptar mjete të reja efikase, duke ju garantuar një kuadër rregullator të prokurimit publik në Shqipëri të përafruar me legjislacionin evropian, si dhe duke adresuar të gjitha ato gjetje dhe rekomandime të ndryshme të organizatave ndërkombëtare, kërkesat për ndryshime ligjore nga institucione të ndryshme të vendit, problematikat e hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit”, tha Rama.