Marrë nga gazeta "Koha Jonë" e datës 21 prill 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku
Armatime të rënda dhe kamionë me ushtarë kanë kaluar dje në Gjakovë
Ushtria serbe pranë Shqipërisë
Ministri jugosllav i Mbrojtjes: Po forcojmë kufirin Shqipëri-Kosovë
PRISHTINE Forca të mëdha të ushtrisë serbe u drejtuan dje drejt jugut të Kosovës, pranë kufirit me Shqipërinë, njoftoi korrespondenti i ATSH. Dje pasdite në Dushkaj të Gjakovës ka arritur një konvoj i blinduar e me armatim të rëndë, tanke, autoblinda, kamionë të mbushur me trupa ushtarake e makineri të tjera luftarake. Nga Gjakova njoftohet se dy kamionë ishin mbushur me tela me gjemba dhe një tjetër me qen të stërvitur. Sipas këtyre njoftimeve, këto forca lëvizën në drejtim të fshatit Gllogjan të Deçanit, që ishte në qendër të sulmit të forcave serbe më 24 mars dhe ku gjatë tij u vranë të paktën tre shqiptarë. Një pjesë e konvojit ushtarak, sipas njoftimeve më të fundit, është vendosur në kompleksin e hidrosistemit të Radoniqit, në vendin e quajtur Bokë.
Konvoji i forcave të ushtrisë serbe rreth mesditës ka kaluar në Suharekë e Prizren, nëpër magjistralen që lidh këto qytete me Prishtinën. Konvoji tjetër ushtarak ka kaluar nëpër Kijevë e lokalitete të tjera, në drejtim të Pejës. Ndërsa në qytezën afër Pejës, në Deçan dhe rrethinat e tij, që përfshin dhe një pjesë të brezit kufitar Kosovë-Shqipëri, pas përqendrimeve të forcave të mëdha ushtarake e policore mbretëron një situatë tepër e rëndë dhe e rrezikshme. Udhëheqësit e LDK-së në Deçan tërheqin vëmendjen se gjendja është dramatike dhe të gjitha shenjat flasin për parapërgatitje të një sulmi masiv të forcave serbe kundër shqiptarëve.
Njoftimet e burimeve shqiptare për lëvizje e përqendrime të forcave serbe drejt kufirit konfirmojnë një deklaratë të sotme në shtypin proqeveritar serb, të ministrit jugosllav të Mbrojtjes, Bulatoviç, se ushtria jugosllave po përforcon pozitat e saj ushtarake në kufirin Kosovë Shqipëri. Njoftohet se gjatë ditës së djeshme, lëvizje dhe përqendrime të forcave ushtarake serbe me armatim të rëndë ka patur dhe në Gjilan dhe rrethinat e tij.
Sipas një komunikate ushtarake, të cituar dje nga Agjencia zyrtare jugosllave e lajmeve, Tanjug, të dielën në mëngjes pati një konfrontim të armatosur mes një njësie të ushtrisë jugosllave (VJ) dhe "terroristëve” nga Shqipëria, në kufirin midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Konfrontimi u zhvillua në zonën e "postës së vëzhgimit të Morinës, në afërsi të gurit kufitar C 6 4/5" dhe nuk pati viktima nga pala jugosllave, njoftoi ushtria. Sipas kësaj. komunikate të ushtrisë, një patrullë e VJ u ndesh me 5 veta, të cilët po përpiqeshin të kalonin ilegalisht kufirin dhe "morri masa për t'i ndaluar ata". Shqiptarët hapën zjarr kundër patrullës "e cila iu përgjigj po me zjarr dhe e preu grupin, i cili u largua drejt territorit shqiptar”, shton komunikata, pa bërë të ditur për viktima ose të kapur nga ana e "terroristëve".
Patrulla kapi në vendin e incidentit, sipas komunikatës, tre armë automatike të prodhimit kinez, dy pushkë gjysmë automatike, 16 granada dore, 388 plumba të kalibrit 7,62 mm dhe tre thasë me veshje civile. Ministria jugosllave e Punëve të Jashtme i ka bërë "një protestë të fuqishme” ambasadës shqiptare në Beograd, duke vënë në dukje se "incidente të tilla mund të jenë me pasoja të rënda dhe pala shqiptare mban përgjegjësi për këtë”. Ndërsa Zyra e Shtypit e Ministrisë sonë të Jashtme, nuk bëri asnjë deklarim zyrtar dje, për të dhënë versionin e palës sonë rreth incidentit të pretenduar nga serbët. Kërkesës së "KJ" iu dha përgjigja: Jemi pushim, sepse është festë.