Ekonomi

Mbi 80% e qytetarëve duan BE, a është gati Shqipëria? EKSPERTËT: Prioritetet para anëtarësimit

Shkruar nga Aranit Muraçi

Mbi 80% e qytetarëve duan BE, a është gati Shqipëria?

52% e qytetarëve të BE-së kanë tendencë t'i besojnë bllokut, rezultati më i lartë që nga viti 2007. Ndërkohë, 43% e qytetarëve europianë vazhdojnë të kenë një imazh pozitiv për BE-në, ndërsa 38% kanë një imazh neutral dhe 18% kanë një imazh negativ për Bashkimin Europian. 62% e qytetarëve të BE-së janë gjithashtu optimistë për të ardhmen e BE-së. Janë këto disa nga rezultatet e Eurobarometrit “Standard” për Pranverën 2025, sondazhe që u kryen në secilin vend anëtar dhe që aspiron të anëtarësohet në BE. 

Më shumë se 80% e qytetarëve të Malit të Zi dhe Shqipërisë besojnë se anëtarësimi do të ishte gjë e mirë për vendin e tyre.

Në një intervistë të kohëve të fundit me median gjermane WELT, Komisionerja Europiane Marta Kos, ndër të tjera, foli për përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ajo theksoi progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në zbatimin e reformave kyçe, duke e quajtur procesin e zgjerimit një transformim të gjerë ekonomik dhe shoqëror për vendin dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

E ndërsa qeveria e drejtuar nga Edi Rama siguroi mandatin e katërt duke vendosur si prioritet pikërisht anëtarësimin në BE, Kos theksoi se, nëse Shqipëria vazhdon vrullin e reformave, ajo mund të përfundojë negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027. Ky afat i ri kohor e bën objektivin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030 një qëllim realist.

Pa marrë në konsideratë pengesat e mundshme që mund të vijnë nga ndonjë vendimarrje gjeopolitike, a është vendosur ekonomia e vendit tonë në kornizën e duhur për t’u bërë anëtare e BE-së?

Znj. Ermela Kripa, eksperte e ekonomisë dhe ish-dekane e Fakultetit Ekonomik në UET, për “Liberale.al” thekson se anëtarësimi si një prioritet kombëtar do ta vendosë Shqipërinë në pesë vitet e ardhshme para sfidave reale.

Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, e shndërruar tashmë në një prioritet me rëndësi kombëtare, do të na përballë me sfidat reale të ekonomisë, të lidhura kryesisht me arritjen e standardeve ekonomike dhe ligjore’ - thekson Kripa. - “Do të jenë pikërisht këto sfida, vendimtare për të siguruar një tranzicion ekonomik fluid dhe një rritje të qëndrueshme pas hyrjes në BE. Prandaj, për të qenë konkuruese në ekonominë europiane zgjidhja e çështjeve të tilla si stabiliteti ekonomik, me gjithë elementët e tij kryesore si tregu i lirë, inflacioni dhe borxhi publik. Politikat e duhura fiskale dhe lufta ndaj ekonomisë informale do të krijonte një klimë biznesi të qëndrueshme për thithjen e investimeve të huaja” - shton ajo.

Zyrtarët e lartë të BE, nisur nga lufta e fundit në Ukrainë apo ftohja me ShBA-në po e shohin gjatë viteve të fundit edhe me të nevojshme zgjerimin e bllokut si një mundësi për t’iu bërë ballë fuqive të tjera botërore, në çdo aspekt, ku beteja në fushën ekonomike besohet se do të vazhdojë dhe do të jetë edhe më e ashpër.

Në analizën e saj, ekspertja e ekonomisë, Ermela Kripa, përmend më konkretisht disa nga detyrat dhe prioritetet kryesore të qeverisë para anëtarësimit në BE.
Dixhitalizimi i shërbimeve ekonomike, nxitja e industrive të reja dhe difersifikimi i ekonomisë duhet të koordinohet më së miri me zhvillimet e reja teknologjike, turizmin e qëndrueshëm dhe ekonominë ‘green’. Po ashtu, qeveria shqiptare duhet të synojë të mbajë të rinjtë në vend, larg emigrimit, duke shmangur kështu ikjen e trurit”.
Megjithatë sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë treguesit janë goxha premtues që ekonomia shqiptare të jetë konkurruese në tregun e përbashkët europian”, - thekson më tej, Kripa.
“Sipas BSH niveli i papunësisë është reduktuar nga 17.5% në 10.7%, dhe të ardhurat mesatare vjetore për frymë janë rritur nga 3.500 në 9.200 euro. Po ashtu, parametrat kryesorë të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur në përmirësim. Inflacioni ka shënuar një nivel mesatar prej 2.5% gjatë kësaj periudhe, borxhi i huaj është reduktuar nga 70% në 44% të PBB-së, ndërsa borxhi publik ka zbritur nga 72% në 56% të PBB-së” - shprehet Ermela Kripa.

E teksa e ardhmja e rajonit është BE-ja, më konkretisht kjo del edhe nga të dhënat e sondazhit të Eurobarometrit 2025 për Ballkanin Perëndimor, ku 83% e qytetarëve të Malit të Zi kanë tendencë t’i besojnë BE-së. Qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës gjithashtu kanë një nivel të lartë besimi në BE – përkatësisht 80% dhe 79%. Në Maqedoninë e Veriut, 54% e qytetarëve thonë se kanë tendencë t'i besojnë BE-së, në Bosnjë dhe Hercegovinë 58%, kurse në Serbi, nga ana tjetër, vetëm një pakicë njerëzish i besojnë BE-së; 37%. Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, situata në rajon është e ngjashme.

Të anketuarit nga BE-ja u pyetën nëse do ta mbështesnin “zgjerimin e BE-së për të përfshirë vende të tjera në vitet e ardhshme”. Në BE-në në tërësi, 54% e qytetarëve e mbështesin këtë politikë, ndërsa 39% janë kundër saj.
Zgjerimi i BE-së gëzon mbështetjen e shumicës së shteteve anëtare, ndonëse 53 për qind ose shumica e qytetarëve të Gjermanisë dhe Austrisë janë pro zgjerimit, ndërsa 42% janë kundër tij. Në Francë, 41% e qytetarëve janë pro zgjerimit dhe 49% janë kundër, megjithëse numri i kundërshtarëve dhe pesimistëve është ulur krahasuar më të dhënat e sondazheve të kaluara.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH