Aranit Muraçi
Sipas Raportit të Mjaftueshmërisë së Pensioneve të vitit 2024, i përgatitur nga Komisioni Evropian dhe Komiteti i Mbrojtjes Sociale, vendet e BE-së po ndërmarrin masa për të mbrojtur nevojat që kanë pensionistët, pasi kudo në Europë pensionet mbeten të pamjaftueshme. Rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social tek të moshuarit ka vijuar të rritet që nga viti 2019, i nxitur kryesisht nga rritja e varfërisë relative e të ardhurave. Në vitin 2022, më shumë se një në pesë persona të moshës 65 vjeç e lart në BE - rreth 18.5 milionë individë - ishin në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Ky numër sa vjen dhe rritet për shkak të rritjes së shkallës së varfërisë dhe plakjes së popullsisë. Në pjesën më të madhe të Evropës, të ardhurat nga pensionet bien shumë poshtë të ardhurave para daljes në pension. Ky hendek, me daljen në pension, e bën më të vështirë për shumicën e të moshuarve që të ruajnë standardin e tyre të jetesës.
Raporti tregon se gratë e moshuara përballen me rreziqe më të larta varfërie sesa burrat në çdo vend të BE-së. Mesatarisht, gratë në BE marrin 26.1% më pak të ardhura nga pensioni sesa burrat, madje 5.3% e grave nuk marrin fare pension. Sipas Eurostat, në vitin 2022, shpenzimet mesatare për pensione të pleqërisë ishin 1,345 euro në muaj në BE. Në Shqipëri pensioni mesatar në të njëjtin vit ishte 137 Euro. Ndërkohë që pensioni mesatar në BE është gati sa paga mesatare në vendin tonë dhe dy deri në tre herë më i ulët se paga mesatare në Bashkimin Europian, pensioni mesatar në Shqipëri është 10 herë më i ulët se mesatarja europiane.
Kjo e dhënë është e mjaftueshme për të kuptuar katastrofën me pensionet në Shqipëri. Edhe pse zgjidhja duket e vështirë për t’u arritur, Banka Botërore dhe FMN kanë shtuar presionin ndaj autoriteve shqiptare për të reformuar sistemin e pensioneve. Anëtarësimi në BE e kërkon edhe më tepër reformimin dhe përputhjen me standartet europiane. Lufta ndaj informalitetit dhe dyfishimi i pensioneve në dy-tre vitet e ardhshme janë një objektiv që qeveria e ka premtuar si pjesë të një reformimi të mundshëm të sistemit.
Në fakt vështirësitë dhe problematikat hasen edhe në vendet e zhvilluara. Shqipëria vuan përveç të tjerave - dhe vendeve të BE-së - edhe plagët që vazhdon të lërë pas emigracioni.
Si të mos mjaftojë situata e vështirë që është krijuar gjatë viteve të fundit, për vendin tonë edhe kultura është e dobët. Përfituesit e parë të sistemit të pensioneve në vendin tonë filluan të përfitonin pensione në vitin 1960. Sipas statistikave të kohës, para shtetëzimit në vitin 1966 evidentohen rreth 35 mijë përfitues, kundrejt 263 mijë kontribuuesve, ose 7.5 kontrobues për çdo përfitues. Në fund të vitit 1991 numri i përfituesve shkoi në 329 mijë, duke reflektuar një normë vartësie 4.5 kontribuues për 1 përfitues. Në vitin 2022 kishte 1,1 kontribuues për 1 përfitues.
Buxheti i shtetit arkëtoi 7,2 miliardë euro të ardhura në vitin 2024, nga ku 2.52 miliardë euro, ose 35% e totalit u përdorën për të paguar pensionet dhe sigurimet shëndetësore. Për pensionet fatura shkoi në 1.9 miliardë euro ose 27% e të gjitha të ardhurave. Në rast se se qeveria do të vendosë të rrisë fondin e pensioneve me, supozojmë 20% duhen të paguhet një faturë me 378 milionë euro. Nëse rritja do të jetë në 50 për qind, sipas planit më të fundit, fatura shkon në rreth 1 miliard euro. Pra, pyetja që shtrohet është? Kush do ta paguajë faturën? Kontribuesit e sigurimeve, do të ndahet nga të gjithë taksapaguesit, apo… bashkë me pensionet do të rriten paralelisht çmimet dhe praktikisht nuk do të ketë rritje?
Shqiptarët paguajnë aktualisht rreth 25% të pagës për kontribute, ndryshe nga vendet e tjera si Gjermania, 18.6%, Franca 15.45%.
Në vendin tonë, ashtu si kudo në Europë ata që
Franca u përball me protesta masive për shkak të pensioneve. Gjermania po reformon sistemin e saj. Të vetëpunësuarit nuk janë të detyruar të kontribuojnë; ata mund të paguajnë vullnetarisht në sistemin e pensioneve shtetërore ose të zgjedhin një pension privat.
Skema e pensioneve publike, e quajtur edhe sigurimi ligjor i pensioneve, është i detyrueshëm vetëm për punonjësit në Gjermani. Të vetëpunësuarit mund të paguajnë në sistemin shtetëror ose të mbështeten tërësisht në skemat private të sigurimeve. Nëpunësit civilë kanë sistemin e tyre të pensioneve. Këto dy grupe përbëjnë rreth 12% të popullsisë së punës.
Plani gjerman është një shembull që tregon sesa i nevojshëm është reformimi i sistemit të pensioneve. Shumë politikanë me prirje të majtë këmbëngulin se mënyra e vetme për të shpëtuar sistemin e drejtuar nga shteti është duke i detyruar të gjithë anëtarët e këtyre grupeve të paguara mirë të paguajnë në fondin shtetëror të pensioneve.
Qeveria e re e koalicionit gjerman është zotuar se nuk do të shkurtojë pensionet e pleqërisë, nuk do të rrisë kontributet e pensioneve ose nuk do të rrisë moshën e pensionit përtej rritjes së planifikuar në 67 vjet deri në vitin 2029.
Pensionistët përbëjnë një bazë të konsiderueshme dhe në rritje votuesish, veçanërisht për partitë e mëdha që rivalizojnë në fushata elektorale që të qeverisin Gjermaninë.
Por perspektiva është e zymtë: në fillim të viteve 1960, kishte ende gjashtë punëtorë të siguruar aktivisht për çdo pensionist pleqërie. Tani ky raport është 2:1 dhe po zhytet më tej.
Një kontribut prej 18.6% të pagës mujore bruto të një punonjësi shkon në fondin shtetëror të pensionit, ku punëmarrësi dhe punëdhënësi paguajnë secili gjysmën. Kontributi mujor nuk mund të kalojë 1,400 Euro.
Qeveria pret që norma e kontributit të rritet në 20% nga viti 2028, duke shkuar në 22.3% deri në vitin 2035 dhe pret që kjo shifër të qëndrojë deri në vitin 2045.
"Niveli i pensionit" aktual - shuma që u paguhet pensionistëve çdo muaj - është 48% e pagës mesatare mujore në Gjermani, një përqindje që qeveria federale dëshiron ta garantojë me ligj deri në vitin 2040 me "klauzolën e nivelit të mbrojtjes".
Në vitin 2023, pensioni mesatar mujor i pleqërisë në Gjermani ishte 1,550 euro, sipas të dhënave zyrtare por 61% e pensionistëve marrin më pak se 1,200 Euro neto në muaj nga pensioni i tyre shtetëror. Një në tre pensionistë në Gjermani merr më pak se 750 euro neto. Shumë gra gjermane marrin pensione shumë më të ulëta, ose nuk marrin pension fare. Kjo për shkak se ata kanë punuar me paga të ulëta, ose e kaluan jetën si shtëpiake, shpesh duke mos u kthyer në punë për shumë kohë pas lindjes së fëmijëve.
Rihyrja në tregun e punës pas shumë vitesh nuk është e lehtë dhe për shumë qytetarë gjermanë një pension nuk mjafton për të përballuar jetesën. Ata ose punojnë për të plotësuar pensionet e tyre ose marrin përfitime sociale nga shteti.
Përveç sistemit të sigurimit ligjor të pensioneve të drejtuar nga qeveria, ekzistojnë gjithashtu plane të kompanive private dhe disa opsione për planet e investimeve private të pensionit individual.
Si dhe periudhat e punësimit me kontribut, koha e kaluar për rritjen e fëmijëve, koha në arsim, periudha e papunësisë ose sëmundjet llogariten gjithashtu në pension.
Të huajt që kanë punuar dhe paguar kontribute në Gjermani për më shumë se 60 muaj kanë të drejtë të marrin një pension gjerman pasi të kenë mbushur moshën zyrtare gjermane për pension.
Qeveria e re ka rënë dakord që të krijohet një komision pensionesh dhe të bëjë propozime për reforma më të thelluara. Deri në vitin 2030 Gjermania planifikon të gjejë mundësi të paktën në vlerën e 200 miliardë eurove, për të ndihmuar në mbështetjen e skemës së pensioneve.
Shembulli gjerman tregon se reforma e pensioneve në vendin tonë është ‘emergjencë kombëtare’.