Vetëm katër ditë afat për aplikimin në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025
Fermerët shqiptarë kanë në dispozicion vetëm katër ditë për të aplikuar në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025, një mundësi e rëndësishme për të marrë ndihmë financiare në sektorë të ndryshëm të bujqësisë dhe blegtorisë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, u bëri thirrje fermerëve që të paraqesin aplikimet e tyre përmes portalit “e-Albania” deri më 30 maj 2025.
Denaj theksoi: “Apliko online në ‘e-Albania’ dhe përfito mbështetje për blegtorinë, bletarinë, farat dhe fidanët, bimët mjekësore dhe aromatike, fermat organike, certifikimin ‘Global GAP’, si dhe për naftën e përdorur në punimet mekanike bujqësore. Aplikimet janë të hapura deri më 30 maj 2025. Mos e humbisni këtë mundësi!”
Thirrja për aplikime në tetë masat mbështetëse të Skemës Kombëtare nisi më 14 prill 2025 dhe do të vijojë deri në fund të muajit maj.
Çfarë përfshin skema?
Skema ofron ndihmë financiare për sektorë të ndryshëm të bujqësisë dhe blegtorisë. Për shembull, fermerët që mbarështojnë lopë ose mëshqerra me minimum 10 krerë mund të marrin deri në 10,000 lekë për kokë, ndërsa për viçat përfitohet 5,000 lekë për krerë. Bagëtitë e imta, si delet dhe dhitë me tufë prej të paktën 100 krerësh, përfitojnë 1,200 lekë për kokë. Për bletarët me të paktën 50 zgjua, ndihma është 1,000 lekë për zgjua.
Në sektorin e bimëve, kultivuesit e perimeve, rrushit tavolinë në serra dhe luleshtrydheve në tunele plastike me një sipërfaqe të mbjellë prej të paktën 1 hektar, mund të përfitojnë deri në 200,000 lekë për hektar. Ata që përdorin metoda biologjike për kontrollin e dëmtuesve marrin mbështetje shtesë. Kultivuesit e bimëve mjekësore dhe aromatike përfitojnë 30,000 lekë për hektar.
Fermat organike që janë në fazën e kalimit drejt certifikimit përfitojnë 100,000 lekë në vitin e parë, 150,000 lekë në vitet e dyta dhe të treta, dhe 200,000 lekë për fermat e certifikuara plotësisht.
Për certifikimin ‘Global GAP’, që përfshin edhe mbulimin e shpenzimeve për analizat e produkteve bujqësore si perimet, frutat, rrushi, ullinjtë dhe agrumet, ofrohet mbështetje që arrin deri në 50% të kostove. Shuma maksimale varion nga 175,000 lekë për certifikim individual në një sipërfaqe prej të paktën 1 hektar, deri në 700,000 lekë për certifikim grupor në sipërfaqe më të mëdha.
Gjithashtu, skema përfshin ndihmë me naftë pa akcizë për punimet mekanizuara në bujqësi, ku vlera e mbështetjes përcaktohet sipas kulturave të mbjella.