Reperja e njohur Nicki Minaj ka bërë disa postime të forta në rrjetin social X (ish-Twitter), ku shpreh shqetësime të mëdha për karrierën dhe jetën e saj personale. Ajo aludon se kompania Roc Nation, e themeluar nga Jay-Z, po ndikon negativisht në jetën e saj dhe po përpiqet ta ndalojë atë nga publikimi i muzikës së re.
Në postimet e saj, Nicki, e cila është 42 vjeç, u shpreh:
“Barbz, kjo është arsyeja e VËRTETË pse nuk do të publikoj muzikë.”
Ajo la të kuptohej se po përballet me sabotim dhe censurë nga ajo që e quajti një “monolit muzikor”, duke nënkuptuar industrinë muzikore dhe ndoshta Roc Nation.
Nicki gjithashtu tha se po përjeton ndërhyrje në jetën familjare, ndërsa fansat e saj po hasin probleme teknike në rrjetet sociale, siç është shadowban – një lloj bllokimi i fshehtë që i bën postimet më pak të dukshme. Ajo kërkoi që fansat të dokumentojnë çdo problem që hasin dhe premtoi se së shpejti do të ketë më shumë të dhëna.
Një nga postimet më të përfolura kishte të bënte me një referencë të qartë për Jay-Z dhe lidhjen e tij me ligën NFL, duke ngritur dyshime për ndikim të gjerë dhe të organizuar ndaj saj.
Minaj gjithashtu akuzoi persona me pushtet se po përpiqen të shkatërrojnë martesën e saj me Kenneth Petty dhe të dëmtojnë burimet e saj të të ardhurave.
Deri tani, Roc Nation dhe Jay-Z nuk kanë reaguar publikisht për këto akuza. Ndërkohë, fansat e Nicki-t janë bërë aktivë në internet, duke ndarë përvojat e tyre me probleme teknike në platformat ku ajo është aktive.