Shqipëria çel zyrtarisht stërvitjen “Defender Europe 25”, një nga operacionet më të mëdha ushtarake në Evropë dhe Afrikë
Ka nisur zyrtarisht në Shqipëri stërvitja ndërkombëtare “Defender Europe 25”, e cila cilësohet si një nga më të mëdhatë dhe më të ndërlikuarat në dekadën e fundit në hapësirën evropiane dhe afrikane. Në orët e para të mëngjesit, trupat e Forcës Tokësore shqiptare janë nisur nga garnizoni i Zall-Herrit në drejtim të Qendrës së Stërvitjes në Bizë, duke shënuar fillimin e ushtrimit të përbashkët.
Kjo stërvitje organizohet nën drejtimin e Komandës Evropiane të SHBA (EUCOM), në koordinim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s. Shqipëria ka një rol kyç si vend mikpritës, duke ofruar mbështetje logjistike dhe strategjike për realizimin e objektivave të manovrës ushtarake.
“Defender Europe 25” ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin mes ushtrive aleate, të rrisë gatishmërinë operacionale dhe të demonstrojë aftësinë për një reagim të shpejtë e të koordinuar ndaj çdo rreziku të mundshëm në zonën euroatlantike.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një postimi në rrjete sociale, shkroi:
“Mirëmëngjes nga Zall Herri, ku trupat e Forcës Tokësore janë nisur drejt Bizës për të nisur zyrtarisht ‘Defender Europe 25’ – një ndër stërvitjet më madhore të dekadës në Evropë dhe Afrikë.”