Sociale

Albana Koçiu viziton Qendrën e Mjekësisë Familjare Nr.10/ Risi që do të zgjerohet në gjithë Shqipërinë, mjeku i familjes në fokus

Shkruar nga Liberale.al
Albana Koçiu viziton Qendrën e Mjekësisë Familjare Nr.10/

Për herë të parë në Shqipëri, po zbatohet pilotimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Tiranë dhe Vorë, si pjesë e Strategjisë për Zhvillimin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor 2020-2025. Ky model fokusohet në ofrimin e shërbimeve të mjekësisë së familjes për rreth 30,000-40,000 banorë në çdo qendër.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, së bashku me Rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Xheladin Draçini, vizituan Qendrën e Mjekësisë Familjare Nr. 10 në Tiranë, e cila prej një viti ofron një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore për familjet.

Ministrja Koçiu u shpreh e kënaqur me funksionimin e kësaj qendre, duke theksuar se ajo është modeli i parë që do të zgjerohet në të gjithë vendin. Ajo theksoi rëndësinë e mjekut të familjes si figurë kyçe, që ndjek shëndetin e qytetarëve nga fëmijëria deri në moshën e tretë. Shërbimet përfshijnë ndjekjen e shtatzënisë, trajtime të thjeshta mikrokirurgjikale, menaxhimin e sëmundjeve kronike dhe kujdesin për shëndetin mendor.

Ministrja gjithashtu përmendi lehtësitë për qytetarët që vijnë në qendër, si organizimi i mirë i orareve dhe takimeve me mjekët, që ndihmon krijimin e një marrëdhënie të mirë mes pacientit dhe mjekut.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Xheladin Draçini, vuri në dukje se mjekësia familjare është pika e parë e kontaktit me qytetarin dhe baza për ndërtimin e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe efikas.

Përveç ofrimit të shërbimit mjekësor, këto qendra do të jenë edhe vende për formimin profesional të specialistëve të Mjekësisë Familjare. Për këtë arsye, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, ku studentët e specializuar në Mjekësi Familjare do të kryejnë praktikën në Qendrën Nr. 10.

Pas Tiranës dhe Vorës, ky model do të zgjerohet në qytete të tjera, duke ofruar një kujdes më cilësor, më të afërt dhe më të personalizuar për çdo qytetar.

Liberale Newsroom

A është SPAK, ashtu siç ende vazhdon të pretendojë një pjesë e opozitës, “vegël” dhe në shërbim të qeverisë?

  • Po!
  • Jo!
  • Nuk e di!
SHQIPENGLISH