Universitet

Studentët e UET, fitues të vendit të parë dhe të dytë në lojën ndërkombëtare të bursës së Shtutgartit

Shkruar nga Liberale

Studentët e UET, fitues të vendit të parë dhe të

Katër muaj mësimi, ndërtimi strategjish dhe investimi në bursë kanë rezultuar një sukses i vërtetë për studentët e Universitetit Europian të Tiranës. Ata rrëmbyen dy çmime, mes 33 ekipeve të universiteteve publike dhe jopublike në Shqipëri, në lojën ndërkombëtare të bursës së letrave me vlerë të Stuttgartit, Gjermani, të quajtur Stock Market Learning.

Dy ekipet pjesëmarrëse të Departamentit të Financës në Fakultetin e Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, nën mentorimin e pedagoges Joana Shima, zunë vendin e parë dhe të dytë për performancën e portofolit të investimeve "Overall Portfolio Value".

Fitues i çmimit të parë u shpall ekipi me studentët: Adelajda Sinani, Eni Çeka, Ina Lusha, ndërsa çmimin e dytë e rrëmbeu ekipi tjetër i përbërë nga Armenisa Kadiasi, Lorna Ndrio dhe Marketin Ndoci.

Po çfarë është Stock Market Learning?

Ky konkurs realizohet për të tretin vit radhazi në Shqipëri nga Deutche Sparkassenstiftung für Internationale Kooperation (DSIK), në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Ai vjen në kuadër të aktiviteteve për të promovuar edukimin financiar dhe edukimin për investime, duke theksuar rëndësinë e të kuptuarit të tregjeve të kapitalit.

Studentët zhvillojnë njohuri për tregjet e kapitalit, operacionet, si dhe veprimet në bursë duke ndjekur strategji të ndryshme investimesh.

Ekipet e studentëve, nën mentorimin e pedagogëve, regjistrohen në platformën online Stuttgart Exchange. Ata marrin një fond virtual prej 50 mijë eurosh dhe brenda katër muajve (1 tetor 2024- 24 janar 2025) duhet ta investojnë në asete të ndryshme këtë kapital virtual. Ata mund të tregtojnë aksione, obligacione dhe fonde investimi në kohë reale.

Objektivi i lojës është të bëjë investime fitimprurëse dhe të gjenerojë fitime sa më të larta. Transaksionet e bëra në platformë nuk janë reale, por ato vlerësohen në bazë të çmimeve aktuale të tregut. Kjo u lejon pjesëmarrësve të investojnë dhe të fitojnë përvojë pa rrezik.

Çdo llogari vlerësohet në fund të konkursit në dy kritere. Kriteri i parë ka të bëjë me performancën e portofolit, duke vlerësuar suksesin financiar të investimeve në instrumente të ndryshme, si aksionet dhe obligacionet. Kjo është kategoria në të cilën studentët e UET-it morën dy çmimet e para.

Kriteri i dytë ka të bëjë me qëndrueshmërinë e portofolit dhe vlerëson investimet e ekipeve në kompani të orientuara drejt qëndrueshmërisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH