Universiteti Europian i Tiranës është zgjedhur si bashkëpunëtor nga universiteti holandez i Shkencave të Aplikuara Saxion për realizimin e projektit që studion zonat dhe lagjet në nevojë të Tiranës.
Studentët dhe pedagogët e UET po punojnë me kolegët e tyre, duke dhënë njohuritë dhe ekspertizën për këto lagje, nëpërmjet analizimit të shkaqeve dhe arsyeve që kanë krijuar diferencat socio- ekonomike me zonat e tjera urbane.
Kudo në Evropë ekzistojnë lagje që përballen me sfidat e mungesës së sigurisë, varfërisë dhe hapësirave publike jo tërheqëse. Megjithatë, cilat janë ndryshimet për shembull, midis një zone vulnerabël në qytetin holandez të Deventerit dhe asaj në Tiranë? A kanë shkaqe të ngjashme problemet me të cilat përballen? Çfarë mund të mësojmë nga njëri-tjetri kur bëhet fjalë për trajtimin e çështjeve komplekse sociale?
Për t'iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, Gerry Stegeman nga Shkolla e Qeverisjes, Ligjit dhe Zhvillimit Urban, së bashku me Grupin Kërkimor për Demokraci të Qëndrueshme, kanë nisur një projekt Erasmus+ për lagjet në nevojë, duke bashkëpunuar me tre universitete në Shqipëri: Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe Universiteti Politeknik i Tiranës.
Lagjet vulnerable janë terrene pjellore për probleme socio-ekonomike. Ashtu si në botë, diferencat sociale midis popullsisë janë rritur edhe në Shqipëri gjatë pandemisë COVID-19 dhe kjo është edhe më e dukshme në zonat vulnerabël. Çështjen e bën më komplekse, por edhe më interesante dhe ngjall kuriozitetin e studiuesve të rinj, fakti që Shqipëria ka një të kaluar politike të ndryshme nga Holanda.
“Ne eksploruam disa dilema etike gjatë projektit. Kjo shpalosi disa nga supozimet që bëjnë profesionistët dhe se si këto e gjejnë rrugën e tyre në zgjidhjet e aplikuara. Ne vëzhguam sigurinë dhe mjedisin e ndërtuar si dhe përfshirjen. Si funksionojnë këto lagje për personat me aftësi të kufizuara? Ne hulumtuam gjithashtu ndikimet dixhitale dhe pasojat e migrimit”, thotë drejtuesja e projektit, Gerry Stegeman.
Bashkëpunimi me partnerët shqiptarë ka qenë ekzistent që në periudhën e pandemisë, por kryesisht nëpërmjet internetit. Më pas nisën shkëmbimet, ardhja e studentëve dhe kërkuesëve nga Holanda në Shqipëri, takimet me institucionet shtetërore, përfshirja në aktivitete të ndryshme lokale etj.
Stegeman thotë se synimi i tyre është ta shtrijnë projektin në Kosovë dhe vendet et jera të Ballkanit.
“Ne gjithmonë përpiqemi të përfshijmë kolegë të rinj në mbikëqyrjen e grupeve studentore. Është një botë e re edhe për ta. Jemi gjithashtu të interesuar për t'i dhënë më shumë thellësi projektit dhe po mendojmë ta zgjerojmë atë duke u fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm të zonës”.
Universiteti i Shkencave të Aplikuara Saxion është një nga institucionet më të mëdha të arsimit të lartë në Holandë, rrënjët e të cilit mund të gjurmohen që në vitin 1875. Një bashkim i dy institucioneve arsimore, Hogeschool Enschede dhe Hogeschool IJselland, i hapi rrugën Universitetit Saxion në formën e tij aktuale në 1998, i cili njihet si një qendër e rëndësishme ekspertize në nivel rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar.