Polis

SHKOLLA KONTEKSTUALISTE - UET, refleksione për populizmin në takimin vjetor në 'ANUARET E FILOZOFISË LLOGARA 10/ 2024‘

Shkruar nga Liberale

Fitorja e liderit të së djathës ekstreme në Holandë, përparimi i menjëhershëm i AfD-së, partisë së djathë në Gjermani, një Marine le Pen që qëndron në gatishmëri sa herë ka fushata elektorale në Francë dhe një Donald Trump që sfidon retorikisht proceset gjyqësore, duke luftuar dukshëm për një rikthim në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024.

Janë vetëm disa nga shfaqjet shqetësuese të politikës të këtyre dy viteve, që duket se e bëjnë më të zymtë e më të mugët fushëpamjen e një bote paqësore e demokratike, e cila gjendet në mesin e dy luftrave shkatërruese, ndërsa dhjetëra konflikte kalojnë heshturazi e shumë të tjerë mbeten në stanjacion. Në një situatë të tillë, çfarë ndikimi ka rikthimi i populizmit dhe liderëve populistë? A e rrezikojnë vërtet ata demokracinë?

Ky preukopim i bëri bashkë anëtarët e Shkollës Kontekstualiste të Universitetit Europian të Tiranës, të cilët u rikthyen në Llogara së bashku me Shkollën e Humaniteteve, një aktivitet i përvitshëm e me traditë që ky universitet organizon. Secili prej tyre ofroi ligjërata me përqasje e këndvështrime të ndryshme, nga aspekti filozofik, te ai historik, politik, institucional e kulturor, duke risjellë në vëmendje edhe raste konkrete.

Ata u ndalën te karakteristikat e populizmit dhe liderit populist, duke rënë dakord që lindja e tij gjen tokë pjellore si në ideologjitë e majta ashtu edhe në ato të djatha, duke shpërfaqur secili politikat e veta, por me të njëjtat efekte negative kundër demokracisë, kundër institucionve, duke cenuar ligjshmërinë dhe të drejtat e njeriut.

Diskutimi konsistoi në disa pika kryesore të cilat shërbejnë si drejtime kyçe për të kuptuar thellësisht ndikimin dhe sfidat që sjell populizmi si fenomen:

1. Rrënjët filozofike të populizmit: Diskutimi i natyrës filozofike të populizmit, përfshirë identifikimin e rrënjëve dhe lidhjen e tij me ideologjitë politike të kaluara.

2. Ndikimi i populizmit në strukturën shoqërore: Analiza e mënyrës se si ideologjitë populiste kanë ndryshuar dinamikën sociale dhe kanë sjellë polarizim në opinionin publik.

3. Roli i medieve dhe teknologjisë: Shqyrtimi i impaktit të mediave  dhe teknologjisë në përhapjen e mesazheve populiste dhe formimin e opinionit publik.

4. Populizmi dhe politika shqiptare: Kontekstualizimi i temës në skenën politike shqiptare, duke identifikuar aktorët kryesorë dhe mënyrat se si politika vendase është ndikuar nga elementët populiste.

5. Kriza e liderëve dhe dilemat e politikës aktuale: Përqendrimi në situatat e fundit dhe dilemat që kanë shpërfaqur liderët politikë në Shqipëri, duke analizuar se si ata kanë trajtuar çështjet me ndikim populiste.

6. Impakti i populizmit në vendimmarrjen qeveritare:  Shqyrtimi i mënyrave se si qeveritë, nën ndikimin e populizmit, kanë marrë vendime dhe politika publike, duke vlerësuar ndikimin në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Takimi gjithashtu solli në vëmendje sfidat dhe dilemat e momentit aktual politik dhe shoqëror. Diskutimet u pasuan me një analizë të situatave konkrete dhe zhvillimeve të fundit në skenën politike ndërkombëtare, duke u ndalur te përplasjet e ideologjive, krizat e liderëve dhe ndryshimet në orientimet politike.

Të gjithë të pranishmit përcaktuan sfidat dhe mundësitë që dalin nga analizat e bëra, duke kontribuar në një diskurs të pasur dhe të gjallë të këtij takimi. Ndërkaq, ashtu si në të gjitha takimet e tjera, u inkurajua një qasje holistike dhe thelbesore për të kuptuar sfidat e kohës së sotme, duke e bërë Shkollën Kontekstualiste një platformë të rëndësishme për debatet e mendimit kritik.

Diskutimi i temës së populizmit është i mjaft i domosdoshëm për shkak të rendësisë së tij në kuptimin dhe interpretimin e ndryshme të sjelljeve politike dhe shoqërore në të gjithë botën. Populizmi si concept shtron pyetje thelbësore rreth natyrës së pushtetit, raportit mes liderëve dhe të njohurve, dhe impaktit të vendimmarrjes në shoqërinë civile. Pikërisht për këtë u diskutua mes mendimtarëve dhe pjesmarrësve në këtë takim, ku vlen për tu përmendur se u ndal gjatë në tezat e filozofëve të njohur si Jean-Jacques Rousseau, Hannah Arendt, Michel Foucault, Karl Marx etj. U vu re se tezat e këtyre filozofë dhe mënyra si e konceptojnë ata fenomenin e populizmit gjejnë vend në ambjentin e nxehtë politik shqipëtar.

U analizua pra se si populizmi ka shërbyer si një forcë e ndjeshme, ndikuese në strukturën dhe dinamikën politike në Shqipëri. Në këtë vend, ku historia politike është përcjellë nga sfida të ndryshme dhe tranzicioni nga një sistem në një tjetër, analiza e populizmit ofron një dritë të rëndësishme mbi shpërndarjen e pushtetit dhe ndikimin e masave.

Ky debat u bë një hap i rëndësishëm drejt kuptimit më të mirë të sfidave dhe potencialeve të këtij fenomeni në skenën globale dhe, veçanërisht, në kontekstin e politikës shqiptare, duke mbizotëruar notat optimiste se sfidat e reja që duket se trondisin demokracinë, në fakt e përgatisin atë me mekanizma të reja për të qenë më e përgatitur ndaj fenomeneve të tilla.

Pse një Shkollë Kontekstualiste?

UET nuk mund të kuptohet pa filozofinë. Në fakt një shoqëri nuk mund të kuptohet e nuk duhet të jetë indiferente ndaj dijes, e aq më pak një universitet që ka si qëllim injektimin e nxitjen e mendimit kritik. Kështu që në mënyra të ndryshme, UET i është qasur kësaj ‘zeje’ themelore për njeriun, fillimisht duke ofruar program studimi në Filozofi, duke përkthyer autorët më të njohur të të gjitha rrymave të mendimit pjesë e së cilës është edhe Kolana Filozofike, tashmë me mbi 50 tituj të përkthyer e me synimin për ta çuar në 100.

Më tej është krijuar një klub studentor për filozofinë i pagëzuar me emrin “Bertrand Russell”, është krijuar “Anuaret e filozofisë”, një pararendëse e Shkollës Konteksualiste, e cila vijon të jetë pothuajse e vetmja arenë e mendimit në qytet.

Shkolla Kontekstualiste mori jetë në 2018, fillimisht me një shpërfaqje në një emision televiziv të pesë pedagogëve të UET, ndërsa shkaktoi shumë debate e diskutime për kohën, për shkak të emrit që mbante, por edhe për shkak të rezistencës që i bëhet gjithmonë risisë dhe të ndryshmes.

Kontekstualizmi nuk është teori, filozofi apo ideologji e unifikuar; përkundrazi, pranon brenda veten një gamë të gjerë pozicionesh teorike, filozofike dhe ideologjike. Kjo pasi kontekstualizmi është mbi të gjitha një metodologji në funksion të ekspozimit, analizës, sintezës, përshkrimit, shpjegimit, parashikimit, rekomandimit dhe kritikës.

Me kalimin e kohës ky grupim u zgjerua me emra të rinj pedagogësh e studentësh, duke qenë aktiv e duke trajtuar çështje të ndryshme të shoqërisë shqiptare, parë nëpërmjet thjerrëzës racionale, analitike, pragmatiste, instrumentaliste.

Shkolla Kontekstualiste mblidhet të paktën çdo muaj në UET për të diskutuar mbi një filozof, mbi një ideator politik, mbi një tezë apo rrymë mendimi, duke e analizuar atë e duke e zbritur më tej nga rrafshi teorik në atë praktik, e për më gjerë në kontekstin shqiptar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH