Universitet

One more thing.... jo nga Steve Jobs, por nga Elfat Memaj

Shkruar nga Liberale

One more thing.... jo nga Steve Jobs, por nga Elfat Memaj

Studenti i UET krijon një aplikacion që të dedikon muzikën e duhur. Ngjashëm me një terapist virtual, ai dëgjon historinë tënde siç do t’ia rrëfenit një ditari dhe e përkthen gjithë ngjarjen në një kërkesë muzikore, duke përmirësuar kështu gjendjen mendore dhe emocionale

Nga Luiza Pinderi

Pasi falënderoi të pranishmit, përkuli kokën mendueshëm, vendosi dorën mbi buzë duke ecur mes skenës dhe tha: “There is one more thing”. Salla shpërtheu në të qeshura dhe duartrokitje duke menduar se ishte një moment shkujdesjeje dhe harrese, ndërsa Steve Jobs vazhdoi më tej: “There is one more thing that I want to show you”. Ishte kjo mënyra për të prezantuar një nga produktet më të reja të Apple, Apple Cinema Display.

Ky është produkti i parë i dokumentuar me video. Produkti i parë i prezantuar në këtë formë është ai i Apple AirPort gjatë fjalimit të Jobs në Macworld Expo në San Francisco, në ato që shpesh quheshin Stevenotes. Pas eventit të 1999-ës, këto tre fjalë u përdorën shumë shpesh ndër vite nga themeluesi i Apple, duke u kthyer në një nga frazat më marketuese, e njëkohësisht e ngulitur fort në historikun e kompanisë më inovatore në botë. Me këtë togfjalësh “there is one more thing” Steve Jobs do të prezantojë iMac DV dhe iMac DV special edition, Aqua, Mac G4 Cube, PowerBook G4, iPod, iPod mini, iPod shufle, MacBook Pro, Apple TV, Face Time e shumë të tjera.

“One more thing”, thotë Elfat Memaj teksa tregon planet e tij për të ardhmen, duke na futur kështu në një bisedë të gjatë mbi atë që e cilëson një nga figurat më inspiruese. Është rritur duke lexuar librat për Steve Jobs dhe çmon mënyrën se si ai punonte, duke veçuar krijimin e sistemit IOS, një magazinë në të cilën gjen çdo gjë nën logon e Apple. I duket në kufijtë e të paimagjinueshmes e nuk pretendon të jetë një Steve Jobs me stilin e tij të jetesës, ashpërsinë dhe distancën që krijonte me shoqërinë e njerëzit që e rrethonin, por ama nuk ka asnjë pengesë që ta ndalë rrugën e tij të përpjekjeve për të mësuar, zgjeruar njohuritë dhe krijuar produkte apo programe të reja teknologjike. Nuk i mungon ambicia dhe kërkesa ndaj vetes. “Dua të eksploroj çdo gjë që ka të bëjë me teknologjinë”, shprehet ai.

Elfat Memaj është student i vitit të tretë bachelor në degën Inxhinieri Informatike pranë Universitetit Europian të Tiranës. Por në ndryshim nga shumë bashkëmoshatarë të tjerë, ai ka zgjedhur programet anglisht që ky universitet ofron, sepse siç shprehet, kjo fushë pjesën më të madhe të termave i ka anglisht, kështu që preferoi që çdo njohuri ta merrte në këtë gjuhë. “Gjithmonë më ka pëlqyer që ta zhvilloj formimin tim në anglisht, për ta praktikuar atë më tepër. Vetëm në anglisht jam më i qartë”, thotë ai, i sigurt që kjo zgjedhje do ta ndihmojë në të ardhmen.

Ishte i vogël, ndoshta numëronte 10-vjeç, kur zbuloi tërheqjen dhe kuriozitetin që i ngjallnin pajisjet teknlogjike që kishte në shtëpi. Kushedi sa herë i shkoi në mendje teksa qëndronte para televizorit që ta zbërthente fije-fije e të kuptonte sesi funksiononte kjo kutizë që sillte mbarë botën në ekran. Pastaj kaloi te telefonat e thjeshtë me butona, pastaj te ata me internet të kufizuar, ku mund të zbulonte diçka më tepër se si funksiononin.

“Doja edhe unë ta bëja diçka të ngjashme”, shprehet ai, duke treguar se atëherë i dukeshin si diçka magjike. “Iu luta babait që të më blinte një kompjuter. Në moshën 14 vjeçare, kur mora kompjuterin e parë, fillova ta zbërthej dhe të kuptoj të gjitha ato enigma që kisha në kokë.”
Ndërsa lexonte dhe zhytej në botën e internetit ndjehej si një Sokrat i papërmbushur dhe kuptonte se sa pak dinte për këtë fushë. Shpesh i vinte inat me veten, por zgjidhte të ngrinte armët e përkushtimit e të mos dorëzohej derisa t’iu jepte përgjigje të gjitha pikëpyetjeve që ngrinin krye orë e çast në kokën e tij.

E tashmë që bota e teknologjisë nuk ecën, por vrapon si një atlete në pistat olimpike, shtohet edhe “uria” e tij. “Stay hangry, stay foolish”, ishte shprehja tjetër kapitale e Steve Jobs, që nënkuptonte shpirtin e pangopur me dije dhe novacion. “Më duket shumë botë e bukur edhe pse është shumë e vështirë e stresuese, mua më tërheq. Sa më e vështirë që bëhet, aq më shumë më tërheq”, thotë 21-vjeçari.

Ashtu si çdo maturant, pasi mbaroi shkollën e mesme “Ibrahim Hasmena” në Mullet filloi kërkimin e vendit ku do të vazhdonte studimet e larta, duke parë 4-5 universitete. Kontakti i parë me Zyrën e Pranimeve, impakti që pati jo vetëm për pjesën e studimeve por edhe nga ana njerëzore e tërhoqi drejt UET-it. Informacioni i detajuar që mori më tej nga një pedagoge për lëndët dhe gjuhët e programimit, i dha një ide më të qartë mbi atë se çfarë do të mësonte gjatë 3 viteve të studimit.

Aplikacionet e para

Me nisjen e studimeve, ai nuk ndenji indiferent. Siç thotë edhe vetë, lëndëve që kanë të bëjnë drejtëpërdrejt me profesionin e tij, iu jep përkushtimin maksimal, duke u përpjekur që të mos lërë asnjë gjë pas dore. Që në vit të parë u bë pjesë e klubit studentor në UET “Steve Jobs”, një mjedis që bën bashkë jo vetëm studentë të informatikës dhe inxhinierisë, por çdo student të këtij universiteti që e ka pasion teknologjinë, edhe pse nuk e ka zgjedhur si degë studimi.

Mentorja e këtij klubi, Anxhela Ferhataj iu kërkoi që të prezantonin projektet e tyre në fund të vitit akademik. Me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, vitin e fundit janë krijuar aplikacione të panumërta, jo vetëm për mësimin e gjuhëve të huaja, por edhe për qëllime të tjera. Duke njohur këtë pjesë, Elfati mendoi të sjellë një aplikacion të ri që gjen këngë apo muzikë, të cilat i përshtaten gjendjes mendore apo emocionale të gjithsecilit. Në fakt aplikacioni i tij është si ditar, një vend rrëfimi, apo një terapiste virtuale, të cilës mund t’i shkruash ngjarje të caktuara të ditës apo gjithë ditën dhe ajo të të përgjigjet me një këngë që i përshtatet gjendjes tënde pas ndodhisë së treguar.

“Ne në YouTube kërkojmë këngë që na përkojnë me ndjenjat tona të momentit. Ndërsa me aplikacionin që kam krijuar është e kundërta: do të tregosh ndjenjën, ngjarjen tënde dhe gjendet muzika apo artisti që të përshtatet”, nënvizon Elfati, duke specifikuar se shpesh ky aplikacion sjell edhe surpriza.
“Muzika që del jo detyrimisht do të jetë diçka që e ke dëgjuar më parë, kështu që edhe mund të surprizohesh. Mund të gjesh një rrymë të re, pra të gjesh veten me anë të një programi. Muzika është goxha influencuese në jetën e njerëzve”.

Sipas një studimi të botuar në International Journal of Behavioral Medicine, dëgjimi i muzikës mund të ndihmojë në rregullimin e emocioneve dhe në reduktimin e zgjimit fiziologjik, duke e bërë atë një mjet të dobishëm për menaxhimin e stresit dhe ankthit. Aplikacioni ende nuk është publikuar, pasi kërkon edhe disa elementë të tjerë për ta përplotësuar.

Elfati tregon se ka shmangur butonat dhe e ka bërë më të thjeshtë me ndërfaqe, e për këtë arsye duhet të krijojë një guidë të mirë. E ka nisur projektin në grup, duke pasur mbështetjen e profesore Anxhelës, ndaj së cilës thotë se ndjen detyrimin që ta çojë punën deri në fund. Por prania e projekteve të tjera, studimeve, ia ka ngadalësuar pak ritmin në këtë drejtim.
“Disa projekte i kam në fazë ideimi. Një aplikacion që po e bëj tani është për wallpaper të PC, që në bazë të motit të zgjidhet edhe figura që përshtatet, duke qenë se wallpaper është gjëja që e shikojmë më shpesh gjatë ditës”. Shton se mund ta sjellë edhe në formën e theme-ve
“Janë aplikacione që nuk i ka bërë dikush më përpara dhe duhet ta fillosh çdo gjë nga zero. Je vetëm fare dhe duhet të krijosh gjëra të reja gjatë gjithë kohës.”

One more thing.... jo nga Steve Jobs, por nga Elfat Memaj

Ky nuk është aplikacioni i parë i Elfatit. Gjatë viteve të studimit ka zhvilluar website apo aplikacione novative dhe mjaft funksionale. I tillë ishte website Skrapo-Scraping, i cili krahason çmimet e produkteve të caktuara të ofruara në Shqipëri nga kompanitë më të mëdha. Po ashtu, ka marrë pjesë në shumë kompeticioneve jashtë UET e hackathon-ve duke u renditur në vendet e para.

Edhe pse e sheh tregun e punës shumë të papërshtatshëm, ambiciet e tij janë që të vazhdojë në këtë drejtim. Pas studimeve dëshiron që të fillojë një intership ose punë për të sjellë aplikacione e programe të reja. Nuk synon të tërhiqet apo të largohet për ta mbyllur pasionin në një ëndërr sirtari. “Dua të marr eksperiencën si fillim nga kompanitë e shqiptare apo të huaja, e ndoshta më vonë do të fokusohem në një produkt timin”, thotë ai.

Në rrugëtimin e tij ka pasur mbështetjen e familjes. Edhe pse fillimisht babai i tij dëshironte që të studionte për Inxhinieri Ndërtimi, u dorëzua përballë pasionit të të birit dhe nuk i bëri rezistencë në këtë drejtim, por e la të lirë të bëjë zgjedhjen e zemrës.

Edhe pse një djalë solar, i komunikueshëm, social, thotë se nuk rri me këdo. I pëlqen shoqëritë e reja e të njohë njerëz, por nga ana tjetër e gjen veten te shoqëria e vjetër, me të cilët ndan vitet e kaluara bashkë, por edhe pasionin për teknologjinë, duke “notuar” në këtë fushë e duke mbështetur njëri-tjetrin në idetë dhe projektet që kanë.
Dëshiron ambicien e Steve Jobs, jo ashpërsinë e tij me të afërmit dhe rrethin e ngushtë, ndërsa shprehet me të qeshur se asnjëherë nuk i dihet se çfarë sjell e ardhmja.

*Shkrimi është botuar në Revistën Liberale, nr. i korrikut 2023. Është apdejtuar me publikimin në Gazetën Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH