Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka njoftuar ndarjen e parakohshme nga jeta të sopranos së njohur Redrina Kokona. Ajo u largua nga kjo botë duke lënë pas një karrierë të pasur dhe një kujtim të paharrueshëm në skenën shqiptare.
E diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Arteve në Tiranë, në vitin 1998, ajo e nisi rrugëtimin e saj artistik me një pasion të palëkundur për muzikën klasike dhe një zë që spikati që në hapat e parë.
Në vitin 2000, ajo iu bashkua Trupës së Korit të TKOB-së dhe që atëherë nuk iu nda më skenës.
Ishte gjithmonë aty, në çdo koncert, në çdo premierë, në çdo përgatitje e provë, jo vetëm si pjesë e korit, por edhe si një zë që shpesh dallohej në role solistike, me një interpretim plot finesë e ndjeshmëri.
Me zërin e saj të veçantë dhe shpirtin artistik, ajo ishte gjithmonë prezente në çdo koncert, çdo provë dhe çdo premierë.
Me talentin dhe përkushtimin e saj, Redrina la gjurmë në zemrat e kolegëve dhe adhuruesve të muzikës klasike.
Publiku do ta mbajë mend si Fiordiligi në operën Così fan tutte, Frasquita në Carmen, Kate Pinkerton në Madama Butterfly, Musetta në La Bohème, Anina në La Traviata dhe Una novizia në Suor Angelica.
Redrina Kokona do të mbetet e paharrueshme jo vetëm për zërin e bukur, por edhe për shpirtin e saj të qetë dhe të përkushtuar. Një humbje e madhe për artin shqiptar.