Kanë kaluar pothuajse dy vite që kur u zhvillua Censi i popullsisë në vitin 2023, por Shqipëria ende nuk ka një shifër zyrtare të popullsisë. Megjithatë, të dhëna si numri i lindjeve dhe emigrimi tregojnë se situata demografike në vend po përkeqësohet.
Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 kanë lindur 4662 foshnja në të gjithë vendin, 14% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahasuar me vitin 2021, rënia është edhe më e thellë, plot 26%.
Pas pandemisë, numri i lindjeve ka nisur të bjerë me ritme më të shpejta. Në vitin 2019, për shembull, numri i foshnjave të lindura ishte 15% më i ulët se në vitin 2011. Sot, në vitin 2025, lindjet po bien ndjeshëm në të gjitha qarqet e vendit.
Veriu i vendit është ndër zonat më të prekura. Në Kukës, që ka përqindjen më të lartë të të rinjve, lindjet kanë rënë me mbi 22% në vetëm një vit. Një situatë e ngjashme ka edhe Dibra. Këto zona janë goditur fort nga emigrimi, duke bërë që gjithnjë e më pak foshnja të lindin atje.
Tirana, ndonëse po zgjerohet dhe ka shumë njerëz që vijnë për të jetuar, ka pësuar gjithashtu një rënie të madhe të lindjeve, 18% më pak në tremujorin e parë të këtij viti. Arsyeja kryesore janë kostot e larta të jetesës, banesave dhe arsimit privat, që i bëjnë çiftet e reja të hezitojnë të krijojnë familje.
Në jug dhe në zonat bregdetare si Vlora, Gjirokastra dhe Berati, rënia e lindjeve është më e lehtë, sepse këto qarqe kanë vite që po përballen me plakje të popullsisë dhe tashmë kanë pak të rinj.
Edhe pse ekonomia shqiptare po rritet, kjo nuk po ndihmon që të përmirësohet situata demografike. Rritja ekonomike dhe rënia e lindjeve po ecin në drejtime të kundërta.
Aktualisht, politika e vetme që synon të nxisë lindjet është bonusi i bebeve, 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin. Por kjo shumë është simbolike në krahasim me kostot reale për rritjen e një fëmije.
Shumë çifte të reja përballen me vështirësi ekonomike, çmime të larta dhe pasiguri në punë, gjë që i bën ata të vonojnë ose të shmangin lindjen e fëmijëve