Një muaj i dedikuar artit dhe talentit të studentëve të Universitetit Europian të Tiranës. Nga piktura te muzika e aktrimi, Departamenti i Arteve të Aplikuara zhvilloi një sërë festivalesh në përmbyllje të vitit akademik 2023- 2024, ndërsa studentët pjesëmarrës u vlerësuan me çmime.
Anisa Baçi u shpall fituese e Çmimit të parë Universitar Kolonia e Artit-UET dhe ekspozita “Një udhëtim vizual përtej kanavacës”, ndërsa Hemelita Boriçi dhe Joana Koço morën përkatëisht çmimin e dytë dhe të tretë.
Ky ishte edicioni i dhjetë i Kolonisë së Artit-UET, i zhvilluar në Petrelë, ku studentët morën leksione nga mjeshtri i pikturës, e njëkohësisht kryetari i jurisë së këtij edicioni, Naxhi Bakalli. Punimet u shfaqën përgjatë disa ditëve në hollin e universitetit, në ekspozitën e titulluar “Një udhëtim vizual përtej kanavacës”, organizuar nga pedagogia Dr. Blegina Bezo dhe Eris Tare.
Në Ditët e Teatrit Universitar dhe Java e Teatrit, u vu në skenë krijimtaria e autorëve të njohur shqiptar e botërorë, nga Shekspiri te Anton Çehov, Kristo Floqi e Pëllumb Kulla. Përgjatë disa ditëve, studentë e maturantë sollën emocione të veçanta me interpretimet e tyre, ndërsa shfaqjet u ndoqën nga afër nga aktorët e njohur Enver Petrovci dhe Bujar Asqeriu.
Tre studentët që vunë në skenë dhe interpretuan dramën e Anton Çehov, “Ariu”, Selma Bakalli, Redjan Shkëmbi dhe Erdi Mara u vlerësuan me Çmimin Universitar në Ditët e teatrit Universitar- UET.
Po ashtu pati vlerësime edhe për interpretuesit e komedisë së Kristo Floqit, “Zi e më Zi”. Selena Daci, Lirie Cani, Elvi Qorri dhe Nikita Tafani u shpallën fitues të Çmimit Inkurajues.
Për dramatizimin e veprës së George Orëell u ndanë katër çmime: Klodian Gjonpalaj mori çmimin “Regjisori më i mirë”; Joan Mezini- fitues i çmimit “Aktori më i mirë”; Nina Bakalli- fituese e çmimit “Drejtuese Dizajni” dhe Darlin Mema- fituese e çmimit të Skenografisë.
Festivali i muzikës i titulluar Odeoni i Muzikës së Kultivuar, në këtë edicion të parë të tij kishte si kryetar jurie dirigjentin Zhani Ciko, ish-themelues i Arteve Muzikore në UET, si dhe pedagogët që vijojnë të japin kontributin e tyre të çmuar në UET: prof. asoc. dr. Edit Mihali, prof. dr. Shqipe Zani, prof. asoc. dr. Ramazan Peku.
Edhe për këtë festival u dhanë tre çmimi: Çmimi i parë shkoi për tenorin Hygert Sparthi, çmimi i dytë për sopranon Sara Bajraktari dhe i treti sërish për një tenor, studentin Arbër Bala.
Departamenti i Arteve të Aplikuara u jetësua në vitin akademik 2018-2019, nën drejtimin e mjeshtrave të artit shqiptar. Përgjatë një rrugëtimi gjashtë vjeçar tre programet e këtij departamenti: Arte pamore, Arte Skenike dhe Arte Muzikore, janë konsoliduar dhe kanë hedhur themelet e një sërë aktivitetesh që po kthehen në traditë dhe histori të tij. Siç do të shprehej drejtuesi i këtij departamenti, dr. Ermir Nika, “janë gjashtë vite aktivitet i dendur dhe sot kemi krijuar një model të krahasueshëm me vendet përreth. Ne skalitim profile artistësh që nesër të mbajnë lart emrin e universitetit.”