Marrë nga New York Times
Leksioni dhe historia që vjen nga kombet e zhvilluara tregon se jo vetëm shteti por edhe njerëzit e pasur investojnë në arsim. Sepse vetëm përmes zhvillimit të arsimit vendet dhe shoqëritë e zhvilluara shohin progres dhe prosperitet.
E veja 93-vjeçare e një financuesi të Wall Street në SHBA ka dhuruar 1 miliard dollarë për një shkollë mjekësore, më konkretisht Universitetit të Mjekësisë “Albert Einstein”, me udhëzimin që dhurata të përdoret për të mbuluar kryesisht shkollimin për të gjithë studentët në vazhdim.
Donatorja, Ruth Gottesman, është një ish-profesoreshë në këtë universitet, ku studioi aftësitë e kufizuara në të mësuar, zhvilloi një test studimi dhe drejtoi programe të ndryshme. Është një nga donacionet më të mëdha bamirëse për një institucion arsimor në Shtetet e Bashkuara dhe ka shumë të ngjarë të jetë edhe më i madhi për një shkollë mjekësore.
Pasuria u vendos nga bashkëshorti i saj i ndjerë, David Gottesman, i njohur si Sandy, i cili ishte një bashkëpunëtor i Warren Buffett dhe kishte bërë një investim të hershëm në Berkshire Hathaway, konglomerati që ndërtoi zoti Buffett.
Dhurimi është i dukshëm jo vetëm për përmasat e tij marramendëse, por edhe sepse do të shkojë në një institucion mjekësor në Bronx, bashkia më e varfër e qytetit. Bronx ka një shkallë të lartë të vdekjeve të parakohshme dhe renditet si qarku më i pashëndetshëm në Nju Jork. Gjatë brezit të kaluar, një numër miliarderësh kanë dhënë qindra miliona dollarë shkollave dhe spitaleve më të njohura mjekësore në Manhattan, lagja më e pasur e New York.
Përgatiti: Liberale.al