* Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka
Termi "digjital" haset tashmë kudo dhe është nga fjalët më të përdorura e më të cituara në jetën e përditshme, në mbarë botën. Megjithëse termi u krijua diku nga mesi i shekullit të XVII-të, ajo ka evoluar shumë, që nga referenca e saj për gishtat, deri më sot për numrat, duke hyrë kështu në shekullin e XX-të përmes teknologjive të radiopërhapjes dhe regjistrimit, e më tej në botën e kompjuterëve të fillimviteve ‘50.
Faktikisht, transformimi digjital është procesi më gjithëpërfshirës dhe transformues, që bota ka njohur, që nga Revolucioni i Parë Industrial. Ndërsa hodhi themelet për Revolucionin e Katërt Industrial, tashmë ai është pjesë e jetës sonë ekonomike dhe sociale, në mënyrë kapilare. Në këtë kuadër, Norqvist (2018)[1] thekson se: "transformimi digjital i shoqërisë i referohet një procesi ku njerëzit riformësojnë mënyrën se si shoqëria "punon" përmes mënyrave të interpretimit dhe të të kuptuarit të shoqërisë, duke përfshirë përdorimin e teknologjive digjitale në jetën e përditshme".
Për të dhënë një ide më konkretë të asaj çka ndodh sot, mbi 5.3 miliardë njerëz në mbarë botën përdornin internetin, në fillim të tremujorit të katërt të 2023-shit, ose mbi 65.7 për qind e popullsisë totale të botës. Sipas OECD (2019)[2], thuajse të gjithë bizneset janë të lidhur me internet, por vetëm 11% e bizneseve të vegjël kryejnë analiza të mëdha të të dhënave masive, krahasuar me 33% të bizneseve të mëdha. Pra, potenciali është ende i madh për individët dhe bizneset në mbarë botën. Revolucioni digjital dhe zhvillimi respektiv i teknologjisë ka shpalosur qasje dhe mënyra të reja për bizneset, në të gjithë sektorët dhe industritë. Digjitalizimi dhe instrumentet digjitale mund të ndihmojnë shumë në drejtim të përmirësimit të ecurisë, efektivitetit, inovacionit dhe kënaqësisë së klientit, pavarësisht rreziqeve respektive, që lidhen me përdorimin e gjerë të teknologjisë. Gjithsesi, rreziku dhe përfitimi ecin krah për krah dhe bizneset mund të sigurojnë përfitime të konsiderueshme, vetëm nëse përshtaten shpejt me prirjen aktuale.
Shqipëria mund të duket si një vend i parëndësishëm për revolucionin digjital, por konkurrenca e fortë dhe sfiduese nga lojtarët dhe praktikat e huaja nuk duhet të neglizhohet, apo të anashkalohet prej bizneseve shqiptare, qofshin ato të mëdha apo të vogla. Në këtë kuadër, tashmë del si domosdoshmëri që edhe bizneset shqiptare të përdorin strategji dhe zgjidhje digjitale, për të ndërtuar kapacitete të përshtatshme për përballimin e “cunamit” digjital, që padyshim do të prekë dhe do të ndikojë, në të ardhmen e afërt dhe të largët, pothuaj çdo aspekt të veprimtarisë së tyre, duke filluar që nga zhvillimi i produktit, menaxhimi i rrezikut, e deri te menaxhimi i burimeve njerëzore. Thënë ndryshe, nëse lihet pa mbikëqyrje, ose i keqmenaxhuar, revolucioni digjital do të kthehet në një armë të shkatërrimit (në masë) të bizneseve!
* Editoriali i kryeredaktorit të revistës shkencore të fakultetit ekonomik UET, nr 32
[1] Norqvist, L. (2018). Analysis of the digital transformation of society and its impact on young people’s lives. In Connecting the dots: Young People, Social Inclusion and Digitalisation, Tallinn, Estonia.
[2] OECD (2019), Going Digital: Shaping Policies, Improving Lives – Summary, OECD, Paris, www.oecd.org/going-digital/going-digital-synthesis-summary.pdf.