Nga Luiza Pinderi
“Do të jem këtu pas 5 vitesh!”
Ky ishte premtimi që i bëri vetes 15 vite më parë kur e ftuan për një orë leksioni në Universitetin e Harvardit. Tashmë, prej 7 vitesh, Dr. Albana Shehaj është pjesë e Harvardit si doktore shkencash dhe Menaxhere Programi në Qendrën Minda de Gunzburg për Studime Evropiane (CES). E specializuar në ekonominë politike ndërkombëtare dhe zhvillimet demokratike, prej një dekade punon në organizimin, ekzekutimin dhe menaxhimin e projekteve kërkimore të shkencave sociale me ndikim konkret te politika.
Është pedagoge, konsulente, zbatuese iniciativash akademike dhe kërkimeve shkencore, përmes bashkëpunimit me akademikë, studentë dhe politikëbërës. Por jo vetëm kaq. Albana Shehaj është model i njeriut dhe gruas me shpirt të lirë, me mendje të fortë, e me ëndrra të mëdha.
Etja për dijen, ambicia dhe guximi ishin dhe mbeten bashkëpunëtorët më të ngushtë të këtij rrugëtimi, i cili startoi në qytetin bregdetar të Vlorës për të mbërritur në një prej universiteteve më të mira sot në botë.
Guximi ishte “artileria e parë që hodhi në fushë”, atëherë kur sapo kishte mbaruar gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë. U largua drejt Greqisë, duke sakrifikuar ëndrrën për studimet e larta. “Sakrifikova diçka imediate për një hap më të largët”, rrëfeu ajo gjatë një workshop-i për studentët e Universitetit Europian të Tiranës, e ftuar nga dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini, në kuadër të bashkëpunimit për projektin READ (Research Expertise from Albanian Diaspora) i cili zhvillohet në partneritet me Albanian American Development Foundation (AADF).
Ishte e përgatitur për jetën e emigracionit, punën e vështirë në vendin fqinj, por sigurisht që nuk ishte e përgatitur, e kurrsesi nuk mund ta pranonte, që ky do të ishte fati dhe e ardhmja e saj. Ndenji vetëm dy vite në Greqi, për t’u larguar në 1993-in, në mënyrë ilegale, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot, nënë e dy fëmijëve, kur e kujton atë kohë, pranon me sinqeritet se nuk do t’ia lejonte një hap kaq të guximshëm fëmijës së saj.
Zëri i brendshëm nuk mund të heshtte. Një ditë mori guximin për të trokitur në dyert e Universitetit të Miçiganit. Nuk e dinte mirë anglishten dhe nuk kishte diplomën e shkollës së mesme. Kishte një ëndërr dhe bëri një premtim: Nëse i ofrohej një mundësi, do të bënte krenarë ata që e mbështetën. “Përballë gjithë sfidave, unë vazhdoja të ëndërroja”, tregoi Dr. Shehaj.
Për shkak të tranzicionit në Shqipëri, largimit të njerëzve e boshatisjes së institucioneve, nuk mund të pajisej me diplomën e shkollës së mesme. Iu kërkua t’i nënshtrohej testeve General Educational Development (GED), një instrument që përdoret në sistemin arsimor amerikan, i cili përmbledh në katër teste gjithë njohuritë e shkollës së mesme. Por nga ana tjetër, Dr. Shehaj thotë se kjo metodë ka një steriotip, për shkak se përdoret për nxënësit që nuk mësojnë apo ata që vijnë nga familje me të ardhura jo të mira financiare.
Mungesa e njohurive në gjuhën angleze ‘e detyroi’ të zgjidhte si program studimi Shkencat Kompjuterike. Kaloi testin për njohuritë matematikore, duke u bërë përfundimisht studente e një universiteti amerikan. Nuk ishin të pakta momentet, që pavarësisht se po ndiqte ëndrrën e saj, ndjehej e lodhur, e vetme në një vend të huaj. “Futesha në makinë dhe qaja se nuk e kuptoja çfarë po bëja me jetën time.”
Kur mbaroi 3-vjeçarin dhe filloi punën si inxhiniere kompjuterike në një kompani amerikane, jeta e saj personale u pasurua me familje, duke u bërë nënë e dy djemve. Pasi iu dha gjithë dashurinë e përkujdesjen e nevojshme, iu rikthye sërish akademisë e zhvillimit të saj profesional.
Nisi një bachelor të dytë, po në Universitetin e Miçiganit, për Shkenca Politike, duke përmbyllur njëri pas tjetrit të gjitha ciklet studimore: masterin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Metodologji, e më pas doktoraturën në Shkenca Politike. Me diplomimin i siguroi vetes një vend në auditorët e universitetit si pedagoge. Ishte kjo mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj besimit që i ishte dhënë një emigranteje nga vendi i vogël i Ballkanit, i cili për shumë vite do të etiketohet si shteti më i izoluar nga diktatura më e egër komuniste.
E ndërsa për shumë njerëz, të qenit emigrant barazvlerësohet me privimin, me pamundësinë, vajza vlonjate gjeti avantazhin. “Të qenit emigrante ishte aseti më i madh që unë kisha”, rrëfeu ajo në auditorin e UET.
Pavarësisht se nuk kishte atë anglishten solide e me theks, kishte fatin të dinte disa gjuhë të tjera, gjë që nuk e gjente te bashkëmoshatarët e saj amerikanë. E nga ana tjetër, rritja mes vështirësive në Shqipëri, e kishte kalitur për të vlerësuar dhe punuar dyfish për arritur ëndrrat e saj. Vlerëson edukimin që mori këtu, por mbi të gjitha vlerëson solidaritetin që gjen mes shqiptarëve në Amerikë. Pavarësisht, se sipas saj, disa e shohin me naivitet, për të është shërbim ndaj kombit.
Kjo ishte një ndër arsyet pse hapi në Shqipëri Akademinë e Studimeve Shqiptare (International Studies Academy), duke ofruar konsulencë për të gjithë të rinjtë që duan të studiojnë në një universitet amerikan, qoftë ai Harvardi. Aksesi, internshipet, bursat mundësojnë një eksperiencë të tillë, mjafton që secili të ketë mentroship-in dhe strategjitë e duhura.
Për eksperten e Harvardit, faktori i parë është ekselenca akademike. Kjo e vlerësuar jo vetëm përmes rezultateve të larta, por me aftësitë analitike, mendimin kritik dhe novacionin. “Ne kërkojmë ata njerëz që kanë syrin e tretë, që duan të ndryshojnë botën. Të kenë një dëshirë aq të zjarrtë saqë asnjë gjë të mos i ndalë.”
Ëndrra, vizioni, gjetja e strategjive të duhura për rrjetëzim, kërkimi i ndihmës së një mentori, të qenit pozitiv dhe këmbëngulës, mbeten vlera të paçmuara. Rëndësia e tyre është e faktuar përmes modeleve si Albana Shehaj që tregojnë se pengesat burokratike e njerëzore, rrëzohen dhe bëhen të pafuqishme përballë ëndrrave rinore. Dhe sa kohë që ëndërron, shpirti mbetet, gjithmonë, i ri!