Kryesore

Tre variacione mbi Këmbanën që bie, ose nuk bie

               Publikuar në : 10:59 - 14/06/21 liberale

Loer Kume

Ishte viti 1940, kur u botua “Për kë bie Këmbana”. Hemingway e shkroi librin në Kubë dhe e përfundoi në New York, nga një hotel në tjetrin, të cilët ‘by default’ i bëri të famshëm. Libri ishte një sukses amerikan, pastaj botëror, duke e interpretuar të gjallë luftën e Spanjës që ishte një paradhomë e Luftës së Dytë Botërore. Në libër flitet per Jordan, që do minonte një urë midis Madrid dhe Segovias, për të penguar ofensivën e trupave Frankiste. Jordan dhe Maria. Dashurohen. Dëshira për jetë, në mes të rrezikut, luftës, pluhurit, bombave, frikës së vdekjes.

Dashuria përballë idealit. Idealit për liri. Për të bërë atë që duhet për të mirën e përgjithshme, për të mirën e të tjerëve. “Për kë bie Këmbana” është sintezë e tërë mendimeve, idealeve, filozofisë së jetës së Hemingway-t. Rrezik, dashuri, seks, miqësi pa kushte, cameraderia, fjalë që erdhi pikërisht nga lufta e Spanjës. Nga Lufta ku, dashuria, ludusi i jetës, ashtu si Jordan dhe Maria, përballen me vdekjen dhe fitojnë. “Unë jam gjithmonë me ty, – i thotë Jordan Marias ndërsa ndahen, – do jem me ty kudo, do jetoj me ty”. Kjo është të kapërcesh vdekjen. Të ndash vdekjen me tërë njerëzimin, duke e pësuar të tërë, nga pak për një, e një për të tërë. Në këtë kuptim, poeti John Donne shkroi frazat e famshme poetike të cilat Hemingway i përdori për të shkëputur titullin – kurrë mos pyet për kë bie këmbana, ajo bie për të tërë, për këdo, bie njësoj edhe për ty. Duke sugjeruar kështu, se Spanja ishte tërë bota. Një kryevepër në të gjitha këndet ky libër i Hemingway-t, një libër koncept.

Pas 44 vjetësh nga romani, duke ndjekur fillin amerikan të krijimit, duke krijuar një histori me pak fjalë, Metallica, më 1984 nxjerrin albumin e tyre “Ride the Lightening” dhe single-n e parë, “For whom the bell tolls”. Një nga sukseset më të mëdha të Metallica, duke e çuar grupin e metal në lartësitë më të mëdha muzikore. Kënga është kompozuar, të paktën pjesa e parë e saj, nga Cliff Burton, basisti i ndjerë, themeluesi i Metallica.

Në këtë krijim të dytë të Për kë bie Këmbana, nocionet ndryshojnë. Jemi në vitet ’80, muzika merr gjithë energjinë kolektive, sidomos muzika rock gëlon në gjakun e tërë njerëzisë, muzikantët janë heronj, shkrimtarët janë heronjtë e muzikantëve, të rinjtë ende nuk janë infektuar nga kostumet, aksionet e bursës, etja për para nuk ishte ende shtylla kurrizore e shoqërisë, fryma dioniziake e ludusit, jetës, ishte totalisht e shprehur përmes arteve, muzikës, nuk ishim ende larg nga Woodstock, nuk ishim ende larg nga gjenitë artistikë të viteve ‘40 e ‘50 në artet figurative. E këtë frymë plot jetë, vite dritë larg vdekjes, dhunës, humbjes së jetës, qoftë dhe nëpër llogore apo duke dashur të marrësh kodrën, këtë frymë kundër vdekjes, e ngërthen pikërisht kjo këngë e Metallica, që edhe pse i referohet një libri që mitizon heronjtë dhe vdekjen, është diametralisht kundër vdekjes dhe thellësisht e përulur ndaj jetës dhe vlerës së saj absolute për çdo njeri. Metallica krijuan përmes një kënge për vdekjen, një himn për jetën.  Për kë bie këmbana? Koha marshon përpara. Kjo lloj këmbane sui generis të shkakton të rrënqethura, … koha, marshon, përpara, vetëm përpara. Je në një karvan, mos ndalo, merr frymë, shijo, sepse nga një moment në tjetrin, këmbana do bjerë për ty. Ankthi i pastër i vdekjes, i kthyer në motor jete.

Dhe në vazhdën e rrëfimit, erdha te një ngjarje e vërtetë. Ndodhur para disa vjetësh.  Durrës (por mund të ishte dhe Velipojë, dje, kur një burrë turist u mbyt në det). Gusht. Ditë e hënë. Plazh. Vapë.

Diku nga mesdita ndodh një alarm. Dikush në det ka humbur ndjenjat. Disa djem e nxjerrin në breg. E shtrijnë në rërë.

Njerëz kureshtarë mblidhen rreth e rrotull. E shohin. Ikin. Vijnë të tjerë. E shohin. Ikin. Roje plazhi nuk ka (as në Velipojë).

Pas disa minutash vjen policia. E shohin. E prekin. Burri vazhdon të rrijë plandosur në breg. Ç’të bëjë? Nuk ka zgjidhje. Një njeri me ndjenja të humbura nuk çohet dot t’i dalë zot vetes. Pret nga të tjerët. Nga njerëzit.
Njerëzit – policë lajmërojnë në radio. Japin e marrin.

Njeriu në tokë, ndërkohë është bërë blu në fytyrë. Policët vijnë vërdallë aty rrotull tij.

Disa persona, marrin trupin e njeriut pa ndjenja dhe e vendosin në çimenton e verandës së një lokali aty. Lokali është plot. Njerëz që pijnë birrat, pijet freskuese, pa e prishur fort terezinë që te këmbët e tyre ndodhet një trup njeriu i plandosur.

Ata më kureshtarët çohen pak, afrohen, e shohin dhe ulen sërish te pijet e tyre. Pas pak, qeshin.
Pas 15 – 20 minutash vjen ambulanca. E shohin. Flasin me policët. Ulen dhe i masin pulsin. Me sa duket, njeriu ka vdekur. Njerëzit – mjekë, hipin përsëri në makinë dhe ikin. Disa vajza atypari, sipas bisedës së tyre janë studente gazetarie, bëjnë foto e selfie që ta kenë kujtim. Kujtim me një të vdekur, sepse një gjë e tillë nuk ndodh përditë.

Policët kujdesen për kufomën. E hipin në një karrocë dore llaci, dhe e nisin për nuk dihet se ku.
Para ca vitesh në Durrës, sot në Velipojë, nesër s’dihet se ku sërish, çdo ditë në ujërat e Mesdheut, në tentativë për t’u hedhur drejt perëndimit për një jetë më të shëndetshme e plot vlera, nëse duam ta zgjerojmë pak gjeografinë, thuajse çdo ditë vdesin njerëz. Nga pakujdesia njerëzore këtu, nga mizoria e luftës atje, nga moskokëçarja europiane dhe botërore, njerëz pa luftë, pa armiq, thjesht nga mekanizmat socialë botërorë, pa pasur asnjë mundësi të kundërshtojnë fatalitetin e fatit të tyre.
Dhe askund, nuk bie asnjë këmbanë. Sot jetojmë në kohët ku nuk ka sirena ambulance, e as këmbana kishe. Përpos atyre si efekte vdekjeje në rrjetet sociale. Sot, në epokën e tretë moderne, këmbanat nuk bien për asnjë, dhe asnjë nuk do të dijë për asnjë, veç nëse do bëjnë një foto bashkë për rrjete sociale. Sot ti poston, ndaj ekziston.

Dikur bëhej luftë, kohët ishin primitive, automatiku, shpata, armiku, mund të të vriste ose mund ta vrisje. Për një ide, për liri, për miqtë, për atdheun. Pastaj lufta ishte e keqe, bota u zhvillua, u bë e ndjeshme, ndjenjat dhe emocionet u përpunuan, u rafinuan, jeta e njeriut ishte e shenjtë.
Po sot? Çfarë ka shkuar gabim? Sot, në Shqipëri apo në botën e hiperzhvilluar, çfarë shkoi kaq keq, sa vdekjes i bëjmë foto dhe e postojmë në rrjete sociale? Çfarë ka mbetur tjetër për të shitur, për pak vëmendje e ca klikime më shumë? Çfarë mund të shitet më për para?
Përgjigjen, uroj të mos na e japin këmbanat.

 

Tags:


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back