Aktualitet

Sot votohet Presidenti i ri, ku ndodhet Presidenti i vjetër

Shkruar nga Liberale

Kuvendi i Shqipërisë do të votojë sot Presidentin e ri, Bajram Begaj, i zgjedhur nga Partia Socialiste. Gjeneralmajor Begaj mban postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që prej korrikut të 2020.

Emri i tij u bë publik ditën e premte, pas mbledhjes së Kryesisë së PS. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se partia që ai drejton do të mbështesë Bajram Begajn.

"Është shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e atij sensi të shërbimit ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të këtij vendi", tha Rama, duke iu referuar kandidatit për presidenti.

Ndërkohë, presidenti aktual Ilir Meta nuk ka bërë asnjë reagim për zhvillimin më të fundit politik në vend. Ai vazhdon axhendën e vet, e cila prej dy ditësh e ka dërguar në Turqi. Këtë të shtunë ka reaguar nga me një foto nga Stambolli.

Më pas ai ka marrë pjesë në konferencën Maltepe Economic Forum "Türkiye and EU in the New Era", e cila ka pasur në fokus çështjet më të rëndësishme që prekin sigurinë europiane dhe ndërkombëtare.

Nuk dihet sa do të zgjasë vizita e tij, për t'u rikthyer në realitetin shqiptar. Kujtojmë që presidenti Meta, edhe pse u zgjodh me miratimin e PS, ka qenë presidenti më i kontestuar prej tyre. Me akuza të ndërsjella, PS ka shkuar deri atje sa ka ngritur një Komision Hetimor për hetimin dhe shkarkimin e Metës, me akuzën se ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Meta ka lajmëruar rikthimin e tij në politikën aktive pas mbylljes së mandatit të presidentit, në muajin korrik. Nuk dihen betejat që do të ndërmarrë, por e ka bërë të qartë se do të forcojë opozitarizmin në vend.

"E ardhmja e opozitarizmit do të jetë krejt ndryshe nga deri më tani.

Nuk do të ketë më pseudo-opozitë, që ju ikën betejave dhe që është shembulli më i keq i respektimit të parimeve demokratike brenda saj, duke favorizuar cenimin e demokracisë dhe legjitimuar për fat të keq, kapjen e shtetit dhe krijuar gjoja idenë se, nuk ekziston një alternativë e opozitës", ka deklaruar Meta së fundi në rrjetet sociale./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH