40 gra Kukësi, Hasi, Tropoja dhe Dibra janë mbledhur për të diskutuar fuqizimin ekonomik, mundësitë e punësimit dhe sipërmarrjen. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave ato u mblodhën një simpozium ku treguan rrugëtimin e tyre profesional, sfidat që kanë kaluar dhe prezantuan modele suksesi të sipërmarrëseve nga ky rajon.
Vera Istrefaj aktiviste për të drejtat e grave tha se 8-Marsi nuk është e vetmja ditë kur vajzat dhe gratë duhet të bashkohen. “Kjo ditë është thjesht një moment i shënuar për të reflektuar mbi të drejtat tona. Shpeshherë, mblidhemi për të festuar, sepse kemi arritje që ia vlen të festohen. Kemi bërë një rrugë të gjatë, vetëm dy dekada më parë, nuk kishte asnjë grua apo vajzë në këshillat tona bashkiake” theksoi zonja Istrefaj.
Gratë në veri të Shqipërisë kanë luajtur historikisht një rol thelbësor në komunitetet e tyre, por vazhdojnë të përballen me pengesa të mëdha për pavarësinë ekonomike dhe suksesin profesional.
Ky simpozium i organizuar nga projekti “Perspektivat e reja” dhe autoritetet lokale ofroi një platformë për diskutim, mësim dhe bashkëpunim, me synimin për të identifikuar zgjidhje të qëndrueshme për fuqizimin e grave në këtë rajon. "Ju them të gjithave të vazhdoni të ndiqni ëndrrat tuaja, sepse nuk duhet të jetojmë në botën e izoluar të mentaliteteve të vjetruara. Përkundrazi, duhet të lejojmë që bota jonë të ndërtohet me vizionin që kemi për të. Të jemi të forta për veten, për vajzat tona dhe për njëra-tjetrën" tha Dafina Gjeloshaj, përfaqësuese e “Artizanet e Tropojës”.
Një sesion i veçantë, "Zhvillimi i Gruas së Veriut – Rruga Drejt së Ardhmes," i dha pjesëmarrësve mundësinë të angazhohen në një dialog të hapur për të identifikuar nevojat kryesore dhe për të propozuar zgjidhje konkrete për fuqizimin e grave.
"Sot gratë mbajnë pozicione kyçe jo vetëm në qeverisjen vendore, por edhe në atë qendrore, ashtu siç bëjnë edhe brenda familjeve. Qoftë në shtëpi apo në punë, gratë janë gjithmonë aty për të mbështetur." tha Emirjola Velia, Drejtore e Rinisë në Bashkinë Kukës.
Roli dhe vlera e gruas është e jashtëzakonshme dhe pjesëmarrëset bënë thirrje për një fokus më të madh te zhvillimi personal. "Duajeni jetën, duajeni veten. Nëse e doni jetën dhe veten, gjithçka mund të kapërcehet dhe arrihet" tha Elsa Doni.
Takime të tilla ndihmojnë komunitetin lokal për të trajtuar sfidat e përditshme dhe të ndërtojnë plane afatgjata për fuqizimin ekonomik të grave.