Diasporës mund t’i jepen edhe 4 ditë kohë më shumë për regjistrimin në zgjedhjet parlamentare nëse partitë politike bien dakord. Me këtë qëndrim, Ilirjan Celibashi komentoi kërkesën e Sali Berishës për të shtyrë afatin e regjistrimit. Por sipas komisionerit shtetëror të zgjedhjeve, Kodi Zgjedhor nuk lejon zgjatjen përtej datës 9 mars.
Partia Socialiste është dakord që të shtyhet afati për ata shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, që kanë aplikuar për t’u regjistruar në platformën PER. Por jo për t’u dhënë mundësi emigrantëve që deri më sot nuk janë futur në sistem.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga përfaqësuesja e Partisë Socialiste në KQZ, Elena Xhina, bën të ditur se Partia Socialiste mbështet shtyrjen e afatit vetëm për ata shtetas të cilët aktualisht figurojnë në sistem si aplikantë të refuzuar.
“Marrë në konsideratë faktin se këta shtetas i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për regjistrim; e kanë shprehur vullnetin e qartë brenda afatit të deklaruar; janë në një numër të konsiderueshëm (42,000); kanë aktualisht një llogari të hapur në sistem dhe u është njohur e drejta e riaplikimit pavarësisht të qenit të refuzuar; shtyrja me disa ditë e afatit mund tu krijojë atyre shansin e fundit për të korrigjuar mangësitë dhe konfirmuar regjistrimin”.
Partia Socialiste thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER.
Sipas saj “falë angazhimit të KQZ-së por dhe forcave politike me fushatën e gjerë të informimit, vlerësojmë se ka qenë koha e mjaftueshme që çdo shtetas i interesuar të bëhej pjesë e procesit brenda datës 4 Mars”.
“Çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vet logjikën e afateve në një proces të tillë. Ndërkohë, dhënia e kohës shtesë për ata aplikantë që janë të refuzuar në sistem, do ti shërbente shterimit të të gjitha mundësive që vullneti i tyre për tu bërë pjesë e procesit të mos shkonte dëm!”, thekson përfaqësuesja socialiste.
Kërkesa e demokratëve për të shtyrë me dy javë afatin e regjistrimit të diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit përballet me dy pengesa. E para është kodi zgjedhor dhe e dyta dakordësia e socialistëve. Për të parën, KQZ thotë se mundësitë janë për një plotësim të pjesshëm të dëshirës së Sali Berishës, duke e zgjatur afatin me 4 ditë, ndërsa për të dytën, negocimi shkon përtej zyrës së Ilirjan Celibashit.
Deri më tani janë rreth 42 mijë qytetarë shqiptarë që kanë aplikuar, por u është refuzuar kërkesa për pasaktësi të ndryshme.
Negociatat politike – nëse do të ketë të tilla – duhet të jenë të rrufeshme, pas data 4 mars përmbyll të gjithë procesin e regjistrimit të diasporës dhe KQZ duhet të vijojë me hapat e tjerë procedurialë.