Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: PD-së i duhen aleanca të reja, përtej atyre të vjetrave

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: PD-së i duhen aleanca të reja,

Ervis Iljazaj

Partia Demokratike është në orët e fundit të negociatave me partitë aleate për listat e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Të vetmet diskutime që ka bërë partia më e madhe opozitare në Shqipëri në funksion të fitores së zgjedhjeve është se si do të akomodojë partitë që ka patur në vitet e fundit krah saj në listat e sigurta për deputetë.
Ajo që mungon në fakt, është se përtej aleancave tradicionale apo të vjetra, janë bisedimet dhe negociatat për zgjerimin e aleancave me parti apo aleatë të rinj. Në këtë drejtim Partia Demokratike nuk ka bërë asgjë konkrete. Për shembull, Sali Berisha nuk ka bërë asgjë për të bashkuar opozitën. Ka bërë disa thirrje publike sporadike, por ndonjë hap konkret për të bashkuar të gjitha partitë që janë në opozitë deri më tani nuk është parë. Është përgjegjësia e tij si lider i opozitës që të bashkojë forca për të bërë të mundur rotacionin, dhe asnjë hap nuk është hedhur në këtë drejtim. Nuk kuptohet se përse Sali Berisha nuk bën asgjë konkrete në këtë drejtim, kur është e qartë se matematika apo dhe sondazhet tregojnë se kështu siç janë rreshtuar partitë në opozitë është në favor të Edi Ramës.

Konjukturat gjeopolitike ndoshta janë në favor të Partisë Demokratike, por ajo që po mungon janë veprimet që Sali Berisha do të duhet të bënte në funksion të krijimit të aleancave me parti të reja dhe faktorë të rinj për të krijuar frymën e domosdoshme për të realizur rotacionin.

Rezultatet e zgejdhjeve të fundit, por edhe sondazhe të besueshme tregojnë që Partia Demokratike do të duhet të rikuperojë një shifër të rëndësishme të diferencës që ka më Partinë Socialiaste. Dhe e vetmja mënyrë që kjo diferencë të ngushtohej apo edhe të tejkalohej është një mentalitet dhe një filozofi tjetër. Deri më tani Sali Berisha dhe Partia Demokratike kanë ndjekur rrugën e konsolidimit të lidershipit të tij në krye të partisë, apo atë të rreshtimit të radhëve brenda saj. Por tashmë që ky fenomen ka ndodhur, hapi tjetër do të duhej të ishte hapja dhe zgjerimi i Partisë Demokratike me aleanca të reja, gjë e cila deri më tani nuk ka ndodhur dhe me shumë gjasa nuk do të ndodhë.

Dikush mund të thotë se partitë e reja nuk dëshirojnë aleancën me Partinë Demokratike, por kjo është e vërtetë deri diku. Asgjë konkrete në fakt, asnjë ofertë realiste Berisha nuk ka ofruar për të zgjeruar dhe bashkuar frontin opozitar me qëllim rotacionin politik, përveç se disa thirrjeve që më shumë ngjajnë si formalitet se sa dëshirë konkrete për ta realizuar këtë bashkim.

Në harkun opozitar ka parti të djathta të cilat nëse do të gjendej formula e duhur dhe vullneti politik , patjetër që aleancat e reja do të ishin të mundura. Në këtë mënyrë do të krijohej fyrma e duhur për t’i bërë ballë një makinerie elektorale të fuqishme siç është ajo e Partisë Socialiste.

Konjuktura gjeopolitike kanë ndryshuar, ekspozimi i kësaj qeverie ndaj korrupsionit gjithashtu është bërë shqetësuese, gjë të cilat janë në favor të opozitës. Ajo që mungon për të bërë të mundur rotacionin është vetëm vullneti i liderit të Partisë Demokratike Sali Berisha për të krijuar një aleancë të gjerë politike të djathtë, që nuk kuptohet ende se përse nuk e bën të mundur.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH