Nga Ilir Copja*
Shumë është shkruar dhe thënë këto ditë për takimin e ditës së premte në Studion Ovale. Të premten Zelenski në Studion Ovale të Shtëpisë së Bardhë tentoi “të tregojë muskujt” dhe t’i imponojë qëndrimet e tij qeverisë amerikane dhe opinionit publik amerikan. Në fakt takimi ishte parashikuar vetëm për nënshkrimin e “Marrëveshjes për mineralet” dhe në fund dalja në një konferencë shtypi të përbashkët.
Në fakt, siç të gjithë e pamë, takimi doli jashtë çdo parashikimi dhe nuk u nënshkrua marrëveshja e dakordësuar në parim. Takimi humbi çdo lloj etike dhe standardi diplomatik duke përfunduar me “përzënien e Zelenskit” nga Shtëpia e Bardhë. Delegacioni ukrainas u largua nga SHBA pa marrëveshje, pa ndihma dhe i zënë në faj nga aleatët e tyre më të mëdhenj. A mundet ta vazhdojë edhe për shumë kohë luftën Ukraina? Çdo të ndodhë nëse SHBA ndërpret ndihmat ushtarake për Ukrainën? Çfarë favori do të sillte për Ukrainën nënshkrimi i “Marrëveshjes së mineraleve”? A i leverdis Ukrainës një armëpushim i shpejtë? A është në pozita të mira Ukraina të ulet në tryezën e bisedimeve me Rusinë?
Zelenski lëvdoi sakrificat dhe heroizmin e popullit ukrainas e në këtë mënyrë kërkon të vazhdojë luftën. A është një perspektivë realiste? Në tre vite luftë ushtria ukrainase ka arritur të thërrasë nën armë 1.050.000 persona. Së fundi, presidenti Zelenski uli moshën e rekrutimit nën armë nga 27 në 25 vjeç. Këto shifra tregojnë se mundësia për të rekrutuar më shumë ushtarë është gjithnjë e më e vështirë. Këtë fakt e ka pranuar edhe ministri i mbrojtjes ukrainas, Rustem Umerov i cili ka thënë se po realizojmë një regjistër elektronik për ata të cilët duhet të paraqiten nën armë. Autoritet ukrainase e kanë pranuar se me kalimin e muajve dëshira për të luftuar për atdheun ka ardhur në rënie. Së fundmi, Zelenski ka vënë në dukje edhe një problem ekonomik: për të paguar rrogën e një ushtari duhen të paguajnë taksa 6 punonjës po me këtë situatë demografike vështirë të plotësohet një proporcion i tillë.
Pas takimit të së premtes është vënë në pikëpyetje edhe vazhdimi i ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën. Për hir të së vërtetës nuk është hera e parë. Me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ecuria e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën në armatime është vënë në pikëpyetje. Që nga fillimi i luftës deri në fund të vitit 2024 SHBA ka dhënë ndihmë në armatime dhe logjistikë në vlerën prej 118 miliardë dollar. Kjo evidentohet edhe nga fakti se çdo herë që SHBA premtonte ndihma ushtarake sidomos në armë me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, Rusia ndihej e kërcënuar dhe kërcënonte me përshkallëzim të veprimeve të saj luftarake. Nuk është rastësi që në ditën pasardhëse të takimit, Rusia “merr zemër” dhe nis një operacion në shkallë të gjerë për të rimarrë territoret e pushtuara nga Ukraina në rajonin e Kursk si edhe të tentojë të futet me forca tokësore në rajonin e Suny, Ukrainë 5 km nga kufiri mes dy vendeve.
“Marrëveshja e mineraleve” të cilën administrata e Trump i vuri kusht Ukrainës për vazhdimin e mbështetjes amerikanë është një marrëveshje ekonomike e cila i shkon për shtat të interesave amerikane. Marrëveshja midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve minerale të vendit, përfshirë tokat e rralla, parashikon që Ukraina të japë 50% të fitimeve nga këto burime në një fond të destinuar për investime të brendshme në vend.
Kjo marrëveshje ka një rëndësi thelbësore për Ukrainën, pasi mund të përshpejtojë zhvillimin e shfrytëzimit të depozitave minerale dhe të sigurojë një burim pasurie të paçmuar për rindërtimin ekonomik të pasluftës. Për SHBA-në do ishte një fitore strategjike sepse do ulte varësinë minerale nga Kina, rivali kryesor gjeostrategjik dhe ekonomik i saj. Si do negociohen pasuritë minerare të cilat gjenden sot nën kontrollin e Moskës? Vlerësohet se depozitat minerale të cilat ndodhen sot në territoret e pushtuara nga Rusia kanë vlerë afërsisht 350 miliardë dollarë (afërsisht 332.89 miliardë euro). Kjo përfaqëson një humbje të konsiderueshme për Kievin dhe një fitim të mundshëm për Moskën, e cila mund t'i përdorë këto burime për të forcuar ekonominë, industrinë dhe teknologjinë. Rusia sot kontrollon afërsisht 17% të territorit Ukrainas.
Më shumë se një herë Kiev nuk është shprehur kundra një marrëveshje të tillë por ajo që ka kërkuar kanë qenë garanci për sigurinë politike dhe ekonomike të vendit. Trump duke theksuar më shumë se njëherë se Kiev nuk është në pozita të mira për të diktuar kushtet e marrëveshjes i përsërit që nënshkrimi i marrëveshjes do ti jepte më shumë fuqi në tavolinën e bisedimeve në përfundim të luftës. Po si? Trump nuk jep detaje po ajo që nënkuptohet është fakti se nënshkrimi i marrëveshjes do bënte që Rusia të ndalte sulmet ushtarake deri në ndalim duke qenë se territoret që do sulmonte nuk do ishin thjesht territoret e një aleati të SHBA-së por do sulmonte drejtpërdrejt interesat amerikane dhe këtë përballje të drejtpërdrejtë më shumë se njëherë ka treguar se nuk e do sepse do ishte një përballje ku do dilte e humbur.
Së fundi, nga sa thamë më sipër a do ishte momenti i duhur për Ukrainën për të pranuar kushtet e vendosura nga aleati i saj më i madh për armëpushim dhe për t'u ulur në tavolinën e bisedimeve? Një nga hulumtimet pasqyron se që nga fillimi i luftës afërsisht 14 milionë ukrainas janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, mes tyre afro 8 milionë janë larguar nga Ukraina, kryesisht gra, fëmijë e pleq, kjo është kriza më e madhe migratore që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Nga të dhënat pasqyrohet se në momentin e pushtimit rus popullsia e Ukrainës ishte afërsisht 41 milionë banorë.
Humbjet njerëzore në këto tre vjet nuk janë të sakta por mund të përmendim disa shifra; Sipas Uppsala Conflict Data Program (UCDP) 174.000 e 420.000 nga të dyja palët. Duke marrë parasysh këto shifra pavarësisht ndryshimeve mes tyre një gjë është e dukshme që humbjet e jetëve llogariten jo me mijëra por me qindra mijra. Sic mund të shihni nga shifrat edhe Rusia ka pësuar humbje të mëdha dhe pavarësisht se popullsia e saj është afërsisht 3,5 herë më e madhe se ajo e Ukrainës presionin e humbjeve njerëzore po e ndjen edhe Moska.
Personalisht oferta e Trump është një dorëzim dhe një pranim humbje nga Ukraina por e mbështjellë me një marrëveshje ekonomike. Armëpushimi i tanishëm do ishte një pranim defakto i aneksimit nga ana e Rusisë e Krimesë, Luhansk, Dombas dhe Zhaporizia si edhe mosfutja e Ukrainës në NATO. Ju kujton gjë ky rezultat? Ukraina dhe Zelenski është mëse normale që të mos pranonte. Trump e “ftoi” të mendohej dhe të rikthehej kur të dëshironte paqe por Zelenski ka nisur një rrugëtim të gjatë në mënyrë që të mos jetë i detyruar të kthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe të nënshkruajë marrëveshjen “pa e lexuar”.
*Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Gazetës Liberale