
Shqipëria dhe Serbia kanë rënë në një grup për kualifikueset e Kampionatit Botëror të Futbollit në 2026-ën.
“Kuqezinjtë” kualifikimet i nisin më 21 mars, kur takohen me Anglinë në “Wembley”. Ndërkohë, më 24 mars, Shqipëria e pret Andorën në “Arenën Kombëtare”, në Tiranë.
Shqipëria e luan në shtëpi edhe ndeshjen e tretë të kualifikimeve për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada. Më 7 qershor do të përballet me Serbinë.
Për Serbinë ndeshja në Tiranë do të jetë e para e kualifikimeve. Më 20 e 23 mars, Serbia luan me Austrinë, në plejofin e Ligës së Kombeve të UEFA-s. Dhe për këtë arsye kualifikimet i fillon në qershor.
Ndeshja Shqipëri – Serbi do të jetë shumë e rëndësishme për të dy përfaqësueset. Pritet të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa të dy ekipet pritet të jenë të ngarkuara emocionalisht më shumë se për ndeshjet e tjera.
Së fundi për ndeshjen në Tiranë foli Stevan Stojanoviq, drejtor i përfaqësueses A të Serbisë.
Në një intervistë të gjatë për sajtin zyrtar të federatës serbe, ai është pyetur edhe për ndeshjen Shqipëri – Serbi.
“Testi më i madh dhe më i vështirë”, ka thënë Stojanoviq.
Shqipëria luan dy ndeshje me Letoninë, më 10 qershor në Riga dhe më 9 shtator në Tiranë, para se ta zhvillojë ndeshjen në udhëtim ndaj Serbisë. Ndeshja Serbi – Shqipëri është më 11 tetor, por nuk është saktësuar ende se në cilin qytet do të zhvillohet.
Shqipëria e Serbia janë përballur në kualifikimet për “Euro 2016”. Ndeshja në Beograd, më 14 tetor 2014, u ndërpre pasi huliganët dhe lojtarët serbë sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Ajo ndeshje në fund u regjistrua me rezultatin 3:0 për Shqipërinë.
Më 8 tetor 2015 në Elbasan, Serbia fitoj 2:0 ndaj Shqipërisë. Dy golat serbët i shënuan pas minutës së 90-të. Ndeshja u zhvillua në masa shumë të rrepta sigurie.
Atmosfera, për shkak të masave, ishte shumë e zbehtë. Shqipëria u kualifikua në Europian, ndërsa Serbia u rendit e parafundit në grup./Liberale.al